Kurti për dy kryetarët e PDK-së: Vendi i punës duhet të jetë në Komunë, ata të vendosin vetë

Prishtinë | 01 Qer 2023 | 14:02 | Nga Gzim Mujaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri Albin Kurti ka folur për vendimin e dy kryetarëve të komunave veriore nga Partia Demokratike e Kosovës të cilët s’janë duke dalë në punë në objektet e Komunave, raporton Ekonomia Online.

Kurti shtoi se beson që kryetarët duhet të jenë në ndërtesa publike të Komunave, meqë s’ka ndonjë gjendje të jashtëzakonshme.

Ai tha se përgjegjësinë për situatën e krijuar në veri e mbajnë ata që e kanë bojkotuar procesin zgjedhor dhe objektet komunale, e jo ata të cilët dëshirojnë që të punojnë.

“Unë besoj që kryetarët e zgjedhur, ndonëse dalja në zgjedhje ka qenë e ulët, janë kryetarë legalë, të cilët kanë legjitimitet ndonëse jo të plotë dhe normal për shkak të trysnisë së Serbisë që serbët t’i bojkotojnë zgjedhjet. Tash ata kandidatë që kanë garuar dhe kanë fituar duhet ta bëjnë punën, sepse për këtë paguhen dhe unë besoj që vendi i punë i kryetarit të komunës duhet të jetë në ndërtesën publike të komunës, sepse ndërtesa publike e komunës është ndërtesa e Republikës”.

“Ka gjendje të jashtëzakonshme, si ajo me pandeminë, ku edhe ne nuk kemi qenë në vende të punës për shkak se nuk kishte as vaksina. Mirëpo vendi i punës së kryetarit është në atë ndërtesë dhe unë besoj që është mirë që të gjithë të jenë atje. Mirëpo sërish është kryetari ai që i ka marrë votat natyrisht që është kryetar dhe i marrin vendimet për të cilët gjykojnë kryetarët. Unë jam i bindur që kemi bërë krejt çfarë jam i mundur”.

“Së pari i kemi shtyrë zgjedhjet; së dyti i kemi mbajtur dhe ato janë konsideruar legjitime dhe të drejta edhe nga faktorët ndërkombëtarë; së treti të gjithë e kanë pranuar rezultatin dhe së katërti ne kemi pranuar që të mos ketë kurrfarë feste për ato fitore dhe madje edhe ceremonitë të mos zhvillohen në komuna. Mirëpo tash duhet të fillojë puna. Ministria e Financave i paguan për punët që bëjnë, struktura paralele ka Serbia, ne nuk mundemi që të krijojmë struktura paralele jashtë. Mos harroni se kur kanë hyrë kryetarët në objekte Komunale ato kanë qenë të zbrazura të braktisura, përveç që kandidatët serbë e braktisën procesin zgjedhor, ata e braktisën edhe objektin. Ata që i kanë braktisur procesin edhe objektet mbajnë përgjegjësinë”, tha kreu i Qeverisë.

LEXONI EDHE:

Të ngjashme