Kurti pret studiuesin Ardian Jusufi, diskutojnë avancimin e inteligjencës artificiale dhe robotikës në Kosovë

Prishtinë | 31 Kor 2026 | 17:49 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka pritur në Zyrën e Kryeministrit studiuesin dhe profesorin me bazë në Universitetin e Cyrihut, Ardian Jusufi, me të cilin ka diskutuar për zhvillimin e inteligjencës artificiale dhe robotikës në Kosovë.

Përmes një postimi, Kurti vlerësoi arritjet shkencore të Jusufit, duke theksuar sukseset e tij në fushën e inteligjencës artificiale dhe robotikës së frymëzuar nga biologjia.

“Kënaqësi të mirëpres në Zyrën e Kryeministrit studiuesin dhe profesorin ndërkombëtar me bazë në Universitetin e Cyrihut, Dr. Ardian Jusufi, i cili ka arritur suksese të jashtëzakonshme në fushën e inteligjencës artificiale dhe robotikës së frymëzuar nga biologjia. Në kuadër të vlerësimit për punën dhe studimet e tij, së fundmi u përzgjodh në listën e ngushtë të nominimeve të Falling Walls Foundation për zbulim shkencor. Ai ka doktoruar në Universitetin Berkley të Kalifornisë, ndërsa studimet post-doktorale i ka kryer në Universitetin e Kembrixhit dhe atë të Harvardit”, shkroi Kurti.

Sipas tij, gjatë takimit u diskutuan mundësitë që ofron sektori i inteligjencës artificiale dhe robotikës, si dhe hapat konkretë për zhvillimin e kësaj fushe në Kosovë.

“Me Dr. Ardian Jusufi diskutuam për mundësitë që ofron ky sektor në Evropë, e po ashtu për mënyrat konkrete se si mund të avancojmë fushën e robotikës në Republikën e Kosovës”, tha ai.

Kurti theksoi se mirëpret bashkëpunimin me studiuesin, duke e cilësuar atë si një nga përfaqësuesit e suksesshëm të mërgatës shqiptare që synon të kontribuojë në zhvillimin e vendit.

“E mirëpres bashkëpunimin me Dr. Ardianin, i cili përfaqëson një shtyllë të rëndësishme në rritjen e Kosovës në të ardhmen, si pjesëtar i mërgatës i cili ka arritur suksese jashtë dhe është i përkushtuar të kontribuojë në zhvillimin e vendit tonë”, shtoi Kurti.

Të ngjashme