Kandidati për kryeministër i VV-së, Albin Kurti i ka quajtur zgjedhjet e 9 shkurtit si të veçanta dhe si të parat të rregullta në vendin tonë, raporton Ekonomia Online.
Ai në fjalimin e tij ka numëruar të arriturat e qeverisë nën udhëheqjen e tij.
Kurti tha se gjatë mandatit katërvjeçar tha se janë tejkaluar shumë sfida për Kosovën.
Ai tha se qeveria ka realizuar mbështetjen e lehonave, kategorive sociale, bizneseve për të krijuar vende.
“Qeveria jonë ka rritur pagën minimale brenda 5 vitesh duke rritur pagën dy herë brenda mandati. Partitë tjera le të flasin sa të duan për rritje page e kthyem fjalët në realitet. Të gjitha këto vendime kanë ndihmuar ekonominë tonë jo vetëm të kalojë krizën e energjisë, por dhe të rritet bruto produkti. Në fund të katër vjetëve e ke të vështirë të gjesh një familje që nuk ka përfituar diçka nga qeverisja jonë e mirë dhe e drejtë”, tha Kurti
Kurti tha se Kosova ka shënuar rritjen më të madhe ekonomike në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Ai ka folur për sulmet dhe nga Serbia dhe përpjekjet e saj për të aneksuar veriun e vendit.
“Lista e veprimeve të sponsorizuar nga Serbia gjatë katër viteve është shumë e gjatë”, tha ai duke numëruar sulmet e Serbisë dhe vrasjen e policit Afrim Bunjaku.
Kryetari dhe Kryeministri, Albin Kurti, në adresimin e tij, shprehu mirënjohjen e thellë ndaj të gjithëve që kanë kontribuuar dhe vazhdojnë të kontribuojnë në avancimin e vizionit të LVV-së një Kosovë të pavarur, të drejtë dhe të zhvilluar. Ai theksoi arritjet e qeverisjes që ai drejton në fusha si ekonomia, shëndetësia dhe siguria, si dhe bëri thirrje për mobilizimin e organizatës për zgjedhjet e 9 shkurtit – për një fitore me mbi 50%.
Qeverisja e Lëvizjes Vetëvendosje ka sjellë stabilitet institucional.
“Për herë të parë prej shpalljes së pavarësisë, Kosova do të mbajë zgjedhje të rregullta parlamentare pas një mandati të plotë katërvjeçar. Kjo dëshmon një stabilitet institucional që Republika jonë nuk e ka njohur deri më sot,” tha Kurti në fillim të fjalës së tij.
Kosova ka një qeveri që u shërben të gjithë qytetarëve njësoj dhe jo interesave të pushtetarëve apo oligarkëve.
“Rritja e dukshme e pagave në sektorin publik për tri vite radhazi; rritja e pensioneve për të gjitha kategoritë përfituese; subvencionimi i bizneseve për punësimin e të rinjve, grave, personave me aftësi të kufizuara dhe personave nga familjet me asnjë anëtar të punësuar; mbështetja për nënat lehona dhe shtesat për fëmijë; arsimi i lartë falas për të gjithë studentët bachelor dhe master; subvencionimi i pajisjeve për të rritur efikasienë elektrike; mbështetja e prodhuesve vendorë dhe eksportuesve për zgjerimin e kapaciteteve; rritja e pagës minimale për herë të parë pas 11 vjetësh, madje duke miratuar dy rritje brenda mandatit,” këto dhe të tjera tregojnë se Qeveria e Lëvizjes është e vetmja që ka kthyer fjalët në realitet”, tha Kurti.
Pandemia Covid-19 tregoi sa e brishtë ka qenë shëndetësia jonë; ne investuam si asnjëherë më parë në shëndetësinë publike.
“Prej 2019, viti i fundit para pandemisë, deri në 2024, buxhetin e këtij sektori e kemi rritur për mbi 100 milionë euro, duke përfshirë buxhetin për barnat esenciale, i cili në vitin 2024 është mbi dy herë e gjysmë më i lartë sesa ishte në fillim të mandatit tonë, si dhe për investime të shumta në infrastrukturën dhe teknologjinë më të avancuar mjekësore nga spitali në spital, nga klinika në klinikë anë e mbanë Kosovës,” tha Kurti.
Me një buxhet të trefishuar për ushtrinë dhe forcimin e policisë, Kosova është më e sigurtë se kurrë më parë.
“Buxhetin për ushtri e kemi ngritur nga më pak se 4 milionë euro, ashtu siç ishte në periudhën 2018–2020, në më shumë se 239 milionë euro në periudhën 2021–2023. Me blerjet e këtij viti të realizuara deri më tani, blerjet arrijnë në 268 milionë euro. Gjithashtu, në katër vjetët e fundit, janë rekrutuar ose janë në proces të rekrutimit 2,271 ushtarë të rinj, duke dyfishuar numrin e ushtarëve brenda mandatit tonë, duke hequr edhe tavanin prej pesë mijë pjesëtarësh dhe duke e ngritur atë të moshës nga 23 në 25 vjeç. Për ruajtjen e sovranitetit të vendit, në veri të Kosovës kemi tashmë 9 stacione policore për mbikëqyrjen dhe kontrollin e kufirit, ndërsa deri në vitin 2021 nuk kishte asnjë. Nëse dikur bandat kriminale dhe terroriste kanë sunduar në veri të vendit, sot sundon rendi dhe ligji në duart e sigurta të policisë së Republikës së Kosovës.”
Kryetari dhe Kryeministri Albin Kurti, e përfundoi fjalimin me një thirrje për bashkëpunim dhe angazhim të palodhshëm nga të gjithë anëtarët dhe aktivistët e Lëvizjes, duke theksuar se së bashku mund të arrijmë qëllimet tona për një Kosovë edhe më të fortë, edhe më zhvilluar.
“Të dashur aktivistë dhe anëtarë, partitë e tjera besoj se kanë kollaj, por as ne nuk e kemi aq vështirë, sepse pragu për partitë e tjera është 5%, ndërsa për Lëvizjen VETËVENDOSJE! është 50%. I gjithë populli ynë, jo vetëm banorët që janë këtu, pra dy milionë e më shumë njerëz, duan vetëvendosje, por Vetëvendosjes i duhen gjysëm milion votues. Kështu, ne jo vetëm që do të vazhdojmë punët e mira dhe do të bëjmë shumë të tjera të reja dhe gjithashtu të mira, por e konfirmojmë se tash që jemi subjekti i vetëm, siç ishte qeverisja jonë në këto katër vjet, nuk varet dhe nuk do të varet nga oligarkët tregtarë, nuk varet dhe nuk do të varet nga votat e Listës Serbe, dhe që e ka e do të ketë të ulët borxhin publik. Me qeverisje të mirë, demokratike dhe autonome, shteti është bërë dhe do të bëhet përherë më i pasur, më i fortë, më sovran dhe më i drejtë,” tha Kurti, duke thirrur bashkatdhetarët që ende nuk janë regjistruar për të votuar në Kosovë, të bëjnë këtë para datës 26 dhjetor të këtij viti.