Kurti s’e komenton deklaratën e ministrit Aliu – për autostradën e Gjilanit thotë se dolën disa probleme

Gjilan | 01 Dhj 2023 | 10:40 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri Albin Kurti, nuk e ka komentuar deklaratën e vartësit të tij, ministrit Liburn Aliut, që tha se Kosova është një projekt i përkohshëm, duke iu referuar aspiratës për bashkim me Shqipërinë, raporton Ekonomia Online.

Kurti nga Gjilani kur u pyet për komentet rreth kësaj deklarate shtoi se nuk e ka pa dhe se në Gjilan është për punën dhe projekte të tjera.

“Nuk po më duhet e përshtatshëm që unë të komentojë emisione televizive që nuk i ka pa, por zëdhënësi im Përparim Kryeziu më tha që ai ka qenë emision festiv, por këtu sot jemi për punë që po bëhen për qytetarët në të mirën e tyre dhe ky është përqendrimi ynë”.  

Përderisa kur foli për autostradën e Gjilanit, tha se kanë dal probleme me rrëshqitjen e dheut, për çka sqaroi se duhet të riformatohet kontrata dhe të bëhen edhe disa shpronësime, raporton EO.

“Edhe unë e ndaj me juve brengën për autostradën munguar të Gjilanit tash e 7 vjet. Kohëve të fundit ajo çfarë është shqetësim është fakti se janë paraqitur disa problem të rrëshqitjes së dheut na duhet ta riformtimin e kontratës që të bëhet edhe disa shpronësime që të sanohen këto probleme që na janë shfaqur”.

“Përderisa po eci me shpejtësi na është shfaqur ky problem. Për vazhdimin e autostradës nga Bresalci në Dheun e Bardh e kemi ndarë buxhetin dhe në prill fillon tenderimi”.

Deklarimi i kryeministrit Kurti:

Faleminderit shumë kryetar Alban.

Ishte kënaqësi që të bashkëbisedojmë për të arriturat në Komunën e Gjilanit, për punët e mbara e të mira, që janë bërë e po bëhen.

Vizita ime e fundit tek Kryetari i Komunës së Gjilanit, këtu në zyrën e tij, ishte me 10 tetor të vitit të kaluar, pra 2022, ku atë ditë, së bashku me kryetarin Alban Hyseni dhe me Ambasadorin e Katarit në Shqipëri, Shkëlqesinë e tij, Ali bin Hamad Al Marri dhe me Drejtorin e “Qatar Charity”, z.Esam Dabab, e patëm vënë gurthemelin bashkë, të mjekësisë së Qendrës së Mjekësisë Familjare në lagjen “Arbëria” në Gjilan.

Ajo çfarë është e rëndësishme të theksohet me këtë rast, një vit më vonë, është që Qendra tashmë ka nisur punën dhe nga 6 tetori qytetarët kanë filluar të marrin shërbime nga kjo qendër. Pra, Kryetari më informoi, që gurthemeli që e kemi vënë në tetorin e vitit 2022, tashmë paraqet një ndërtesë dhe shërbim të përfunduar e aktual për qytetarët e Gjilanit.

Gjithashtu, më 13 tetor, patëm vizituar vitin e kaluar edhe fshatin Miresh, ku vendosëm gurthemelin e çerdhes, investim nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe kryetari Alban Hyseni më njoftoi, që 90 për qind të punimeve kanë përfunduar. Pra shumë shpejt, fshati Miresh do të jetë me çerdhen e re.

Ajo çfarë kemi vënë gurthemelin po përfundon së shpejti dhe do të mund ta gëzojnë fëmijët e prindërit atje. Këtë vit herën e fundit isha në Gjilan më 29 mars ku e vizituam bashkë me kryetarin shkollën ‘’Hello Academy Education’’ dhe fabrikën ‘’Albimi LTD’’, të dyja përfituese të masave mbështetëse të qeverisë përfshirë këtu edhe platformën Superpuna që ndihmon të rinjtë e moshës prej 18 deri në 28 vjeç, ndërkaq sot, prej këtu siç e tha edhe kryetari do të shkojmë bashkë për të përuruar parkun ”Banja” me një hapësirë prej 17 metër katrorë apo 1.7 hektarë e para saj do të vizitojmë edhe punimet në rrugën ‘’Hamdi Kurteshi’’ një projekt ky shumë i rëndësishëm për qytetarët dhe për banorët e zonës aty të cilët kanë vuajtur tepër gjatë me ato korsi shumë të ngushta në një trafik përgjithësisht të dendur. 

Në Gjilan pra siç shihet po vij për punë dhe po gjejmë punë sepse popullsia e Gjilanit ashtu sikurse edhe kryetari i Gjilanit janë njerëz punëtorë. Për të filluar projekte, për të parë punimet, për t’i përuruar ato, dhe këso lloj vizitash do të vazhdojnë të shpeshtohen për shkak se edhe punët janë gjithnjë e më të mëdha.

Me këtë rast më lejoni të përmend tri projekte gjigande, të cilat janë tejet të rëndësishme për Gjilanin, si kryeqytet i Anamoravës le të themi. I pari është stadiumi i qytetit me rreth 15 milionë euro. Procedura e tenderimit fillon javën e ardhshme. I dyti është unaza rrugore e qytetit, me përafërsisht 26 milionë euro, i cili tashmë është buxhetuar për vitin e ardhshëm 2024. Dhe i treti është bulevardi, me rreth 20 mijë metra katrorë hapësirë publike, me infrastrukturë nëntokësore, me parking nëntokësor, i cili ka një kosto përafërsisht prej 12 milionë euro dhe gjithashtu është buxhetuar për vitin e ardhshëm.

Faleminderit shumë kryetar Alban, edhe të dëshiroj suksese, të arritura gjithnjë e më të mëdha për të mirën e qytetarëve të Gjilanit e të Anamoravës në përgjithësi.

Të ngjashme