Kurti për 8 Mars: Do të hapim thirrjen për fuqizim ekonomik për familjaret e personave të zhdukur nga lufta

Prishtinë | 08 Mar 2024 | 10:19 | Nga Gzim Mujaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, në hapjen e konferencës së organizuar nga Agjencia për Barazi Gjinore, në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Grave, tha se synimi i tyre për barazi e drejtësi nuk ka alternativë, raporton Ekonomia Online.

Ai ka përmendur edhe skemat ku janë përfituese gratë e Kosovës. Kurti tha se janë mbi 90 mijë gra që përherë të parë kanë hapur llogari bankare.

Sipas tij, qeveria që udhëheqë ai është demokratike dhe feministe, e kjo tha dëshmohet me politikat që po i ndërmerr.

“Synimi ynë për barazi dhe dritësi nuk ka alternativë, politikat feministe po e ruajnë demokracinë. Ky është edhe shteti për të cilin punojmë çdo ditë, demokrat po por edhe feminist, këtë e dëshmojmë edhe me politikat tona. Me secilin dikaster kemi marr masat për lehtësimin e jetës të vajzave dhe grave. Ne qeverisim me parime socialdemokrate dhe qasja e tillë ka qenë edhe me politikat tona për qytetarët. Filluam me shtesat për lehona dhe për fëmijë. Qeveria jonë ka qenë e përkushtuar që ndryshimin për barazi social ta nis edhe ne sektorin publik. Fuqizimi pozitës së grave ne shoqëri është njëra ndër ndryshimet thelbësore që qeveria jonë e ka që në fillim të mandatit”, tha Kurti.

Kurti tha se gjatë muajit mars do të hapet thirrja për fuqizim ekonomik për gratë dhe vajzave që janë familjare të personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës.

“Gati 25 vjet pas mbarimit të luftës i kujtojmë çdo sakrificë që kanë bërë. Disa e vazhdojnë luftën se për to nuk ka përfunduar. Këto sakrifica nuk mund të shpaguhen financiarisht. Por mbështetja jonë duhet të jetë edhe financiare. Sistemi ynë i rendite familjarë të personave të zhdukur lartë në regjistrin e lirisë. Këtyre vlerave po ju shtojmë edhe masën për mbështetje familjareve gra dhe vajzave  të personave që janë zhdukur me dhunë gjatë luftës. Gjatë muajit mars do të hapim thirrjen për fuqizim ekonomik për gratë dhe vajzave që janë familjare të personave që ende rezultojnë si të zhdukur me dhunë të pa gjetur që nga lufta”, tha ai.

“Si Kryeministër e përkrah fuqishëm atë që nuk ka politikë pa gratë, dhe jo vetëm gratë në institucione, por politika për to. Politika feministe e barazimtare. Analizë se sa përfitojnë gratë e sa burrat prej buxhetit tonë të shtetit. Vendime sa më të barabarta”, tha Kurti.

Duke kujtuar sakrificat që ka bërë çdo kategori për shtetin e Kosovës, Kryeministri theksoi se këto sakrifica, ndër më të mëdhatë njerëzore, nuk mund të shpaguhen financiarisht, mirëpo mbështetja jonë duhet të jetë edhe financiare.

“Sistemi ynë vleror i renditë familjarët e personave të zhdukur lartë në regjistrin e lirisë. Këtyre vlerave po u shtojmë edhe masën për mbështetje familjareve gra dhe vajzave të personave që janë të zhdukur me dhunë gjatë luftës. Gjatë muajit mars do të hapim thirrjen për fuqizim ekonomik për gratë dhe vajzat që janë familjare të personave që ende rezultojnë si të zhdukur me dhunë, të pagjetur që nga lufta,” tha ai.

Kryeministri theksoi disa nga ndryshimet thelbësore që Qeveria ka shtyrë përpara që nga fillimi i mandatit, me synim fuqizimin e pozitës së grave në shoqëri, duke filluar që nga shtesat për lehona dhe fëmijë, përmirësimin e gjendjes ekonomike dhe forcimin e pozitës financiare të grave, mbështetjen e punësimit të grave, mbështetjen në aspektin e ndërmarrësisë, integrimin e grave në ekonomi, bursat e destinuara për vajzat, si dhe lehtësimet dhe ofrimet e shërbimeve në fushën e mjekësisë.

Përtej projekteve, platformave e masave mbështetëse, Kryeministri Kurti theks të veçantë i dha edhe strategjive të krijuara enkas për gratë, përfshirë protokollin për mbrojtjen e grave nga dhuna në familje, si dhe protokollin për trajtimin e rasteve të dhunimeve seksuale, ndihmë juridike falas për viktimat e dhunës në familje dhe lansimin e programit për punësimin e grave viktima të kësaj dhune.

Duke uruar Ditën Ndërkombëtare të Grave, Kryeministri Kurti ftoi për vazhdim të punës së përditshme, bashkërisht, për pavarësi ekonomike të grave dhe vajzave në Republikën tonë, si një shkallë e rëndësishme drejt zhvillimit dhe lirisë individuale.

E kryeshefja e Agjencisë për Barazi Gjinore, Edi Gusia, tha se kjo ditë është për të kujtuar kontributin e grave ne ndërtimin paqes e demokracisë.

“Në 20 vjetorin e ligjit për barazi gjinore kujtomë që ishte dhe është obligim i çdo qytetari pa dallim gjinie të mbronte dhe ta mbroj jetën e te gjithë atyre grave dhe vajzave që humbën jetën si viktima të dhunës në familje dhe atyre që vazhdojnë të ballafaqohen me dhunën”, deklaroi ajo.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

E nderuara znj. Emilija Rexhepi, zëvendëskryeministre në Qeverinë e Republikës së Kosovës,
E nderuara znj. Albulena Haxhiu, ministre e Drejtësisë,
E nderuara znj. Daulina Osmani, zëvendësministre në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit,
E nderuara znj. Dafina Gexha Bunjaku, zëvendësministre në Ministrinë e Shëndetësisë,

E nderuara znj. Edi Gusia, Kryeshefe e Agjencisë për Barazi Gjinore,
Shkëlqesia juaj, ambasador i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund,

I nderuari shef i EULEX-it, z. Giovanni Pietro Barbano,

I nderuari z. Tankut Soykan, zëvendësshef i Zyrës së Këshillit të Evropës,

Të nderuara përfaqësuese të institucioneve, organizatave ndërkombëtare, të shoqërisë civile,

Të nderuara aktiviste e aktivistë të të drejtave të grave dhe të njeriut,

Të nderuar të pranishëm,

Zonja dhe zotërinj,

Mirë se po takohemi në Kryeministri në këtë datë kaq të rëndësishme për lëvizjen për të drejtat e grave.

Synimi ynë për barazi dhe drejtësi nuk ka alternativë. Politikat feministe po e ruajnë dhe po e përparojnë demokracinë ngado sot. Ato e kanë fituar luftën politike, sepse tashmë nuk ka dyshime më se këto të dyja mund të ecin vetëm bashkë. Ky është edhe shteti për të cilin punojmë për çdo ditë. Demokrat po, por edhe feminist gjithsesi. Këtë e dëshmojmë edhe ne me politikat tona dhe me gatishmërinë që t’i pasurojmë përditë ato. Ne e kemi thënë edhe më parë dhe po e tregojmë çdo ditë në qeverisje. Me secilin dikaster kemi ndërmarrë masa në përmirësimin dhe lehtësimin e jetës dhe përvojave të vajzave e të grave. Me shtesat, me bursat, me grantet, me vaksinat, me xhirollogaritë, me masat për punësim, me dënimet për dhunuesit, me inkurajimet për gratë, jemi duke ecur krahas kërkesave të kohës dhe të vetë atyre.

Qeverisja është shërbim demokratik, para se të gjithash e mbi të gjitha, për ato e ata të cilat i kanë nevojat më të mëdha dhe të drejtat më të shkelura. Ne qeverisim me parime socialdemokrate dhe ashtu siç kemi premtuar, qasja jonë ka qenë e tillë edhe në respekt me politikat tona në mbështetjen e qytetareve të Republikës. Filluam me shtesat për lehonat dhe shtesat për fëmijë, skema nga të cilat janë përfituese rreth 45 mijë lehona, e rreth 400 mijë fëmijë marrin mbështetje financiare nga Qeveria. Nga kjo, janë mbi 90 mijë gra që kanë hapur llogari bankare për herë të parë në jetën e tyre.

Përtej kësaj, qeveria jonë ka qenë plotësisht e përkushtuar që ndryshimin për barazi sociale ta nisë edhe në sektorët e publikes, me strategji specifike për përmirësimin e gjendjes ekonomike të qytetareve tona. Fuqizimi i pozitës së grave në shoqëri, e veçanërisht forcimi i pozitës ekonomike të saj, është njëra ndër ndryshimet thelbësore që Qeveria jonë ka shtyrë përpara që nga fillimi i mandatit.

Mbështetja e punësimit të grave, përmes subvencionimit të pagës së punëtores, ka rezultuar në mbi gjashtë mijë gra të integruara në tregun e punës. Kurse nga platforma Superpuna, ku kemi rreth 10 mijë përfitues, gjysma e tyre janë vajza e gra.

Përmes masës Qeveria për Familjet, ku subvencionojmë pagën e punëtorit ashtu që të sigurohemi që së paku një anëtar i familjes do të jetë i punësuar, dhe ku kemi rreth 2,000 përfitues, gjysma e tyre janë gra, e që nënkupton aq familje me kryefamiljare gra.

Mbështetja e Qeverisë sonë është shtrirë edhe në aspektin e ndërmarrësisë, ku kemi përkrahur kreditë në pronësi të grave, mbështetje kjo për mbi 40 gra për të zgjeruar aktivitetet biznesore nga kreditë e mundësuara në vlerë prej mbi 4 milionë euro, si rezultat i subvencionimit të një pjese të kryegjësë së kredisë nga Qeveria.

Përveç skemave e masave të reja për ngritje të mirëqenies, Qeveria po ndërton edhe mekanizma të veçantë që sigurojnë forcimin e pozitës financiare të grave. Kjo në shërbim edhe të rritjes së rolit vendimmarrës të saj, në familje e në shoqëri. Sepse barazia gjinore është në themel të barazisë shoqërore.

Sipas parashikimeve të Bankës Botërore, Republika e jonë në vitin 2024 pritet të ketë rritjen më të lartë ekonomike në rajon. Ne do t’i japim shtysë projekteve zhvillimore dhe mbështetjes sociale për jetesën e mirë dhe barazinë në republikë demokratike.

Integrimin e grave në ekonomi e kemi parasysh gjithnjë, madje edhe gjatë përpilimit të projekteve zhvillimore me partnerët tanë ndërkombëtarë. Përmes projektit që kemi me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit, kemi paraparë komponentë të veçantë në projekt për punësimin e grave në sektorin e energjisë. E nga bursat e destinuara për vajzat që studiojnë në fushat STEM (shkencë, teknologji, inxhinieri e matematikë), kemi rreth 3000 studente përfituese.

Në fushën e mjekësisë i kemi kushtuar kujdes të veçantë aplikimit të strategjive për ofrimin e shërbimeve shëndetësore falas në spitalet publike për sëmundjet të cilat i prekin më së shumti gratë. Kështu, në QKUK për herë të parë mund të bëhet rikonstruktimi i gjirit për gratë që e kanë mposhtur kancerin e gjirit. Ndërkaq mamografia si masë parandaluese dhe diagnostikuese është falas për të gjitha qytetaret e Republikës. Për herë të parë, ofrohet vaksina kundër HPV për grupmoshën e caktuar si parandalues i kancerit të qafës së mitrës, ndërkaq pajisjet për fertilizim të asistuar tashmë janë gati të funksionalizohen në QKUK. Për neve është çështje e vetkuptueshme që gratë kanë autonomi të plotë mbi trupin e tyre, planifikimin familjar dhe lirinë për qasje të barabartë në shërbime shëndetësore.

Kemi ndërmarrë edhe një varg masash dhe strategjish si: protokollin për mbrojtjen e grave nga dhuna në familje, si dhe protokollin për trajtimin e rasteve të dhunimeve seksuale, ndihmë juridike falas për viktimat e dhunës në familje dhe lansimin e programit për punësimin e grave viktima të kësaj dhune. Kjo shkon bashkërisht me modulet e reja të trajnimeve mbi Ligjin për Barazinë Gjinore që u ofrohen kadetëve të rinj të Policisë së Kosovës. Ne jemi të vetëdijshëm që edukimi adekuat mbi barazinë gjinore dhe sociale është i rëndësishëm për të mposhtur pabarazinë.

Të nderuara zonja dhe zotërinj,

Si kryeministër e përkrah fuqishëm atë që nuk ka politikë pa gratë, dhe jo vetëm gratë në institucione, por politika për to. Politika feministe e barazimtare. Analizë se sa përfitojnë gratë e sa burrat prej buxhetit tonë të shtetit. Vendime sa më të barabarta.

Gratë që kanë kontribuar në luftë dhe para luftës janë shumë. Gati 25 vjet pas mbarimit të luftës i kujtojmë përditë sakrificat që ka bërë çdo kategori për shtetin e Kosovës. Disa nuk janë dhe mungojnë që prej luftës në Kosovë. Kurse disa e vazhdojnë luftën sepse për to nuk ka përfunduar. Nuk vazhdon vetëm dhimbja, por edhe vetë lufta për drejtësi. Këto sakrifica, ndër më të mëdhatë njerëzore nuk mund të shpaguhen financiarisht, mirëpo mbështetja jonë duhet të jetë edhe financiare. Sistemi ynë vleror i renditë familjarët e personave të zhdukur lartë në regjistrin e lirisë. Këtyre vlerave po u shtojmë edhe masën për mbështetje familjareve gra dhe vajzave të personave që janë të zhdukur me dhunë gjatë luftës. Gjatë muajit mars do të hapim thirrjen për fuqizim ekonomik për gratë dhe vajzat që janë familjare të personave që ende rezultojnë si të zhdukur me dhunë, të pagjetur që nga lufta.

Të nderuara zonja dhe zotërinj,

Solidariteti dhe bashkëpunimi janë gurët themeltarë të përparimit. Përpjekja për ta bërë Kosovën një vend më të mirë e një shoqëri që është e drejtë për të gjithë është e përditshme. Bashkërisht, çdo ditë, le të vazhdojmë punën për pavarësi ekonomike të grave dhe vajzave në Republikën tonë, si një shkallë e rëndësishme drejt zhvillimit dhe lirisë individuale.

Veprimet tona le të udhëhiqen nga parimet e barazisë ekonomike e të solidaritetit shoqëror, lirive dhe të drejtave, përfshirjes dhe pjesëmarrjes aktive. Duke ju falënderuar për angazhimin e përbashkët, ritheksoj se jemi bashkë në përpjekjet dhe luftën për barazi.

Duke ritheksuar sloganin e ditës së sotme këtu nga Kryeministria “Bashkë për barazi”, gëzuar Dita Ndërkombëtare e Grave!

Ju faleminderit!

Të ngjashme