Kurti takon “miqtë laburistë të Kosovës” në Londër, pjesë e tubimit edhe Baronesha Ashton

Prishtinë | 28 Shk 2024 | 10:12 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri Albin Kurti ka marrë pjesë mbrëmë në përurimin e nismës “Labour Friends of Kosova” në Londër, që është një grup i Parlamentarëve Laburistë në Mbretërinë e Bashkuar, me qëllim promovimin e marrëdhënieve të forta dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, raporton Express.

Në këtë ngjarje ka marrë pjesë edhe baronesha Catherine Ashton, deputetët Laburistë David Lammy, Christian Ëakeford, Stephen Doughty, Luke Pollard, Nia Griffith, Ëayne David, Dan Jarvis, Shabana Mahmood, Liz Tëist, Gill Furniss, Anneliese Dodds e cila është dhe Sekretare në Hije e Shtetit për Gratë dhe Barazitë, dhe ish-sekretari i mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar dhe ish-sekretari i përgjithshëm i NATO-s, George Robertson.

Sipas njoftimit që ka lëshuar Zyra e Kryeministrit, në fjalën e tij, Kurti ka thënë se është i bindur që kjo nismë do t’i fuqizojë edhe më tej marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Ai ka përmendur edhe Dua Lipën, Rita Orën, Granit Xhakën e Xherdan Shaqirin.

“Ndër ta është Esat Kryeziu i cili ka shërbyer në Forcat Ajrore Mbretërore gjatë Luftës së Dytë Botërore, dhe i cili pas vdekjes së tij, është nderuar nga tanimë e ndjera Mbretëresha Elizabeth me pesë medalje për shërbimin e tij ndaj Mbretërisë së Bashkuar dhe forcave aleate. Një tjetër personalitet është ai i heroit kombëtar shqiptar nga Kosova, Gani beg Kryeziu që luftoi kundër fashizmit përkrah ushtarëve britanikë, në po të njëjtën Luftë, dhe që ishte anëtar i Ekzekutivit të Operacioneve Speciale të formuar nga ministri i atëhershëm i Punës për Luftën Ekonomike dhe më vonë kancelari, Hugh Dalton”, citohet të ketë thënë Kurti.

Tutje, Kurti ka thënë se Britania është një vend që nuk ua kthen shpinën miqve dhe aleatëve të saj.

“Kur mendoj për Mbretërinë e Bashkuar, mendoj për vlerat tuaja: tolerancën, modestinë, guximin dhe më e rëndësishmja, nderin. Britania është një vend që nuk ua kthen shpinën miqve dhe aleatëve të saj. Një vend që nuk rri duarkryq dhe nuk shikon përballë agresionit, dhunës dhe terrorit. Ne e dimë shumë mirë këtë dhe vazhdojmë ta ndiejmë dhe ta vlerësojmë atë mbështetje”, ka deklaruar Kurti.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme