Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në 25-vjetorin e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarave të Torturës (QKRMT) tha se përkundër traumave të pashlyeshme, të mbijetuarat e dhunës seksuale kanë treguar forcë të jashtëzakonshme për të ndërtuar një jetë të re, raporton Ekonomia Online.
Kurti u shpreh se kanë filluar me procesin e dokumentimit të krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë
“Përveç ofrimit të përkrahjes ndaj të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës, organizatat e grave kanë kontribuar edhe në hartimin e politikave që avancojnë drejtësi tradicionale e që reflektojnë realitetin dhe nevojat e të mbijetuarave. Përkundër traumave të pashlyeshme, të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës, kanë treguar forca të jashtëzakonshme për të ndërtuar një jetë të re. Prandaj krahas mbështetjes së përhershme dhe të thellë, e kemi edhe një dhimbje për to”.
“Teksa punojmë për përballje me të kaluarën, me përkushtimin tonë të përbashkët për të luftuar padrejtësitë dhe për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë dhe më të ndjeshme. Me këtë qëllim kemi themeluar për herë të parë pas luftës, Strategjinë për Drejtësi Tradicionale. Kemi filluar me procesin e dokumentimit të krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë”.
Jonathan Hargreaves, ambasador i Britanisë së Madhe, tha se e ardhmja e Kosovës varet nga njohja dhe adresimi i ndikimit të traumës.
“E ardhmja e këtij vendi varet nga njohja dhe adresimi i ndikimit të traumës. Një nga hapat më të rëndësishëm për të ndihmuar familjet të shërohen është të kuptuarit e ekzistencës së traumës transgjenerative”.
“Qeveria e Kosovës dhe institucionet e saj kanë një rol thelbësor në këtë drejtim. Shërbimet e shëndetit mendor janë thelbësore dhe unë i përgëzoj ata të mbijetuar që kanë duruar kaq shumë. Falënderoj gjithashtu Feriden dhe secilin prej jush për kontributin tuaj.”
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
Sivjet shënojmë çerek shekulli të rrugëtimit të përbashkët në liri, e të përpjekjeve tona për të përballur dhe trajtuar plagët e luftës.
Në këto 25 vjet, ishte jetik roli i organizatave të shoqërisë civile, veçanërisht i atyre të udhëhequra nga gratë. Ato kanë dëshmuar se mbrojtja e të drejtave të njeriut, krahas së qeni detyrë institucionale, është mision humanitar, që kërkon përkushtim, guxim dhe empati. Përveç ofrimit të përkrahjes ndaj të mbijetuarave e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës, organizatat e grave kanë kontribuar edhe në hartimin e politikave që avancojnë drejtësinë tranzicionale, e që reflektojnë realitetet dhe nevojat e të mbijetuarve.
Përkundër traumave të pashlyeshme, të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës, kanë treguar forcë të jashtëzakonshme për të ndërtuar një jetë të re. Andaj krahas mbështetjes, të përhershme e të thellë e kemi mirënjohjen për to.
Të nderuara zonja dhe zotërinj,
Si shtet e shoqëri, ne po ecim përpara, teksa po punojmë për ballafaqimin me të kaluarën, me përkushtimin tonë të përbashkët për të luftuar padrejtësitë dhe për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë dhe më të ndjeshme.
Me këtë qëllim kemi miratuar për herë të parë pas përfundimit të luftës, Strategjinë për Drejtësi Tranzicionale. Kemi filluar procesin e dokumentimit të krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, për çfarë e falënderoj në veçanti drejtorin Atdhe Hetemi, i cili gjithashtu është i pranishëm sot me ne.
Për të garantuar ndjeshmërinë gjinore në këtë proces, jemi të lumtur e me fat, që në Institutin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, është angazhuar edhe zonja Shyrete Tahiri Sylejmani.
Për të lehtësuar sa më shumë procesin e aplikimit të të mbijetuarave në Komisionin Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Viktimave të Dhunës Seksuale gjatë Luftës, Qeveria do të vazhdojë financimin për katër organizatat e autorizuara.
Bashkërisht, po forcojmë përpjekjet tona për të përkrahur të mbijetuarat e të mbijetuarit, për të vënë në vend drejtësinë.
Prania e Dr. Mukwege sot, na rikujton fuqinë e bashkëpunimit dhe solidaritetit në përballjen me këto plagë të shoqërisë. Andaj, vazhdojmë këtë rrugë së bashku, me besimin se e ardhmja që po ndërtojmë, do të jetë më e mirë për të gjithë.
Gëzuar 25-vjetorin e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës
LEXONI EDHE: