Kurti: Viktimave të dhunës do t’u ofrohet ndihmë nga secili institucion

Prishtinë | 05 Dhj 2022 | 12:09 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në lansimin e Protokollit Shtetëror për Trajtimin e Rasteve të Dhunës, ku ka thënë se ky dokument do të përdoret nga të gjitha institucionet përgjegjëse për trajtimin e dhunës seksuale.

Kurti, gjithashtu, ka dhënë detaje për Protokollin e lansuar, duke thënë se tashmë viktimave të dhunës do t’u ofrohet ndihmë nga secili institucion që e kontaktojnë.

Ky dokument, sipas Kurtit, nuk do ta lejojë papërgjegjësinë dhe hedhjen e fajit nga një institucion te tjetri, përkundrazi do të shmangen papërgjegjësitë dhe neglizhimet.

“Protokolli Shtetëror për Trajtimin e Rasteve të Dhunës është dokument pune për t’u përdorur nga të gjitha institucionet përgjegjëse për trajtimin e dhunës seksuale. Ky protokoll synon të qartësojë se viktima nuk ka rëndësi a kontakton së parë në emergjencë, denoncon rastin në polici, kontakton me mbrojtësin e viktimave, apo kërkon ndihmë në ndonjë qendër për gratë e dhunuara”, ka deklaruar Kurti.

“Nuk mund të lejohet papërgjegjësitë ku institucionet i hedhin fajet njëra-tjetrës për mosveprim, gjithashtu shmangin përgjegjësitë dhe neglizhojnë thirrjet e viktimave të dhunës. Pavarësisht, secili institucion merr informatën së pari për rastin, duhet të fillojë menjëherë trajtimin me profesionalizëm, dhe duhet të përmbushen të gjitha nevojat specifike të viktimave, nëpërmjet qasjes shumësektoriale e të koordinuara”, ka vijuar ai.

Kurti ka theksuar se në shumë raste viktimat e dhunës nuk e kanë marrë trajtimin e duhur, dhe sipas tij “dhunuesit e abuzuesit nuk e kanë marrë dënimin e duhur”.

Kryeministri i ka përmendur edhe disa nga ndryshimet e parapara në Kodin Penal.

“Në ndryshimet që kemi paraparë në Kodin Penal, janë këto do t’i ndalohet punësimi në institucione publike, do t’i ndalohet kandidimi në institucion lokal apo qendror, do t’i merret leja e vozitjes, trajtimi i lëndëve nuk do të zgjasë më shumë se një vit dhe emrat e dhunuesve do të publikohen në faqe të KGJK”, ka deklaruar ai.

Kurti ka bërë thirrje për angazhim maksimal të të gjitha institucioneve për ta “çrrënjosur dhunën në baza gjinore”.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:

Faleminderit znj.Curri

E nderuar Ministre e Drejtësisë, znj. Albulena Haxhiu,

E nderuara Drejtore e Rrjetit të Grave të Kosovës, znj.Igballe Rogova,

E nderuar Shefe e Zyrës së UN Woman, znj.Vlorë Tuzi, Nushi,

E nderuar Koordinatore e Kombeve të Bashkuara, znj. Spence,

I nderuari Ambasador i Bullgarisë,

Të nderuar përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare,

Të nderuari Ambasador i EULEX-it, Shef i EULEX-it në Kosovë, Lars-Gunnar Wigemark,

Të nderuar aktivistë e aktiviste për mbrojtjen e të drejtave të njeriut,

Zonja e zotërinj,

Të nderuar të pranishëm,

Puna profesionale dhe me përgjegjësi, përkushtimi serioz dhe ndjeshmëria për vënien e drejtësisë, janë tipare, të cilat i bëjnë institucionet serioze në veprim dhe të përgjegjshme në zbatim të plotë të detyrave dhe misionit që kanë. Jo rrallë herë sistemi i drejtësisë ka pësuar nga brishtësia e vet, në mungesë të mekanizmave të mirëfilltë, të cilët përcaktojnë dhe i precizojnë fushë-veprimet, kur adresohen rastet dhe lëndët përkatëse.

Protokolli Shtetëror për Trajtimin e Rasteve të Dhunës Seksuale, është një dokument pune për tu përdorur nga të gjitha institucionet përgjegjëse për trajtimet e rasteve të dhunës seksuale.

Ky Protokoll Shtetëror synon të qartësojë të gjitha institucionet përgjegjëse se nuk ka rëndësi nëse viktima apo e mbijetuara kontakton së pari në urgjencë, denoncon rastin në polici, kontakton me mbrojtësin e viktimave apo kërkon ndihmë në një qendër të specializuar të shërbimeve për gratë e dhunuara. E rëndësishme është që pavarësisht se cili institucion merr informacionin e parë për rastin, duhet të fillojë menjëherë trajtimi me përgjegjshmëri dhe profesionalizëm dhe duhet të përmbushen të gjitha nevojat specifike të viktimave nëpërmjet qasjes shumë-sektoriale e të koordinuar.

Pra, nuk mund të lejohen papërgjegjësi të tilla, ku institucionet i hedhin fajet njëra-tjetrës për mosveprim dhe gjithashtu shmangin përgjegjësitë apo neglizhojnë thirrjet e viktimave të dhunës kur ato trokasin në dyert e institucioneve. Shpeshherë në rastet e paraqitura institucionet nuk i kanë kryer e nuk i kanë zbatuar obligimet e tyre ligjore, duke i lënë viktimat pa trajtimin që u takon dhe që ato e meritojnë. E po ashtu, në raste të këtilla dhunuesit dhe abuzuesit nuk e kanë marrë dënimin e merituar.

Ndryshimet ligjore të ndërmarra nga Qeveria jonë, në Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale, në rastet kur një person shpallet fajtor për veprën penale të dhunës në familje apo të dhunës seksuale, janë këto:

– do t’i ndalohet punësimi në institucionet publike;

– do t’i ndalohet kandidimi në pozita qoftë në nivel lokal apo qendror;

– do t’i merret leja e vozitjes;

– nuk do të zbatohen rrethanat lehtësuese për dhunuesit;

– trajtimi i këtyre lëndëve nuk do të zgjas më shumë se 1 vit dhe

– emrat e dhunuesve do të publikohen ne faqen zyrtare të KGJK-së.

Andaj, pas këtyre ndryshimeve ligjore, për ashpërsimin e dënimeve ndaj dhunuesve, por edhe zbatimi i këtij protokolli, do t’u dalë në ndihmë dhe mbrojtje viktimave.

Protokolli përfshinë zbatimin e të gjitha detyrimeve të parashikuara ligjërisht për mbrojtje të menjëhershme të viktimës, si dhe shërbimet gjithëpërfshirëse me sa vijon: marrjen e pëlqimit të informuar, ofrimin e përkthyeseve të gjuhës; interpretëve-të gjuhës së shenjave në rast nevoje; trajtimin në ambiente të përshtatshme miqësore; ofrimin e infrastrukturës së plotë, që mundëson lehtësisht qasjen e personave me nevoja të veçanta; pastaj, ofrimin e shërbimeve nga profesionistë të së njëjtës gjini me viktimën, si dhe shmangien e lodhshme të intervistimit të shumëfishtë.

Trajtimi i tillë me viktimën në qendër, veprimet e menjëhershme dhe me kompetencë, padyshim që do të sjellin rezultate më të mira në këtë shërbim. Qasja gjithëpërfshirëse dhe e koordinuar kundër dhunës ndaj grave, e veçanërisht kundër dhunës seksuale, është edhe një nga kërkesat kryesore të Konventës së Stambollit.

Qëllimi kryesor i këtij Protokolli është: standardizimi i veprimeve të nevojshme për një reagim të vazhdueshëm, gjithëpërfshirës e me përgjegjshmëri, për identifikimin, mbrojtjen, trajtimin, dokumentimin, referimin, fuqizimin e qëndrueshëm dhe ri-integrimin e viktimave/të mbijetuarave dhe të mbijetuarve të dhunës seksuale, përmes ndërhyrjeve të menjëhershme dhe profesionale në institucionet përgjegjëse.

Me miratimin e tij, Qeveria  është e përkushtuar për të investuar në burime plotësuese financiare dhe njerëzore për: forcimin e të gjithë shërbimeve të domosdoshme, shtimin e shërbimeve të munguara, fuqizimin e kapaciteteve të profesionisteve dhe profesionistëve të cilët trajtojnë rastet e kësaj forme shumë të rëndë të dhunës ndaj grave, si dhe mbrojtjen, fuqizimin e qëndrueshëm dhe ri-integrimin e viktimave dhe të mbijetuarave e të mbijetuarve, së bashku me marrjen e masave për të parandaluar dhe zvogëluar mundësinë e ripërsëritjes së kësaj forme të dhunës. 

Unë i përgëzoj të gjitha dhe të gjithë ata që janë angazhuar në hartimin e Protokollit, këtij dokumenti të sofistikuar, dhe uroj që zbatimi i tij të fillojë dhe të jap rezultatet e menjëhershme të trajtimit të viktimave dhe të mbijetuarve të dhunës seksuale, dhe për këtë ju uroj përkushtim dhe punë të palodhshme në zbatimin më të mirë të tij.

Përpilimi i protokollit, na e mundëson punën, nuk është përfundimi i punës por do të duhej të na e lehtësojë angazhimin tonë të pakursyer e të vendosur për ta eliminuar dhunën në familje e posaçërisht dhunën seksuale ndaj grave.

Të nderuar të pranishëm,

Na duhet angazhim maksimal i të gjitha institucioneve, si dhe  i çdo njërit nga ne, për të çuar përpara përpjekjet tona për ta çrrënjosur dhunën mbi baza gjinore. Eliminimi i dhunës është detyrim i secilit veç e veç dhe i të gjithë neve  së bashku. Viktimave u takon përkrahja institucionale dhe shoqërore, përkujdesja maksimale dhe adekuate, shëndetësore e psikologjike. Duhet që organet e rendit e të hetuesisë, prokuroritë dhe gjykatat, të vënë personat e dyshuar sa më parë para drejtësisë, prokuroritë dhe gjykatat të jenë ato të cilat dëshmojnë se përkushtimi i ri është një fazë e re  për të gjitha institucionet dhe për mbarë shoqërinë dhe me këtë rast kryerësit të marrin dënime meritore. Dhuna ndaj grave dhe vajzave është çështje e sigurisë dhe mirëqenies, edhe publike edhe sociale dhe jo vetëm një çështje familjare e private. Eliminimi i saj është betejë që na takon të gjithëve.

Ju falemnderit!

Të ngjashme