Kurti viziton disa kompani në Shtutgart, i fton të investojnë në Kosovë

Prishtinë | 16 Nën 2022 | 23:16 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë vizitës së tij në Shtutgart të Gjermanisë, ka takuar edhe përfaqësues të kompanive gjermane dhe drejtuesit e ndërmarrjeve Bosch, Datagroup SE dhe Zeiss, të cilët i ka ftuar për të investuar në Kosovë.

“I ftova që të vizitojnë Kosovën për të parë nga afër përparësitë edhe kushtet që vendi ynë ofron për investime të huaja”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Ai ka theksuar mundësitë dhe mjedisin e favorshëm për investime, pozitën gjeografike dhe stabilitetin institucional.

“Qeveria mbetet e përkushtuar për zhvillimin dhe rritjen e industrisë së teknologjisë së informacionit në vend nëpërmjet një agjende digjitale gjithëpërfshirëse”.

Gjithashtu, kreu i ekzekutivit ka takuar edhe ministren e Ekonomisë, Punës dhe Banimit, Nicole Hoffmeister-Kraut dhe Sekretarin e Shtetit për Koordinim Politik dhe Evropë të landit të Baden-Württemberg, Florian Hassler.

“Me ministren Hoffmeister-Kraut folëm për mundësitë e reja të bashkëpunimit, veçanërisht në fushën e ekonomisë dhe shkëmbimeve tregtare, dhe për mundësitë që Kosova ofron për bizneset gjermane”.

“Kurse me Sekretarin Hassler, folëm për rolin e rëndësishëm të diasporës dhe agjendën dhe aspiratat e Republikës së Kosovës për integrim euro-atlantik”, shtoi ai.

Shefi i qeverisë vizitoi edhe Fondacionin Shtetëror Baden-Württemberg Stiftung për të diskutuar bashkëpunimin e mundshëm në fushën e shkencës dhe edukimit.

Ndërkaq, Kurti ka shfrytëzuar rastin që të takohet edhe me studentë dhe shoqata shqiptare që veprojnë në Baden-Württemberg.

“Falënderues për mikpritjen e ngrohtë, kontributin e vazhdueshëm dhe interesimin për zhvillimet në vend dhe zhvillimin e vendit”.

Kurti vizitën e fundit jashtë vendit e kishte pasur më 26 shtator në Japoni së bashku me ministrin e Financave, Hekuran Murati.

Ata gjatë kësaj vizite kanë marr pjesë në ceremoninë shtetërore të varrimit të ish-kryeministrit të Japonisë, Shinzo Abe.

Të ngjashme