Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministren në detyrë të Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci, dhe deputetin Nezir Kraki, kanë vizituar sot Panairin e Librit “Prishtina 2026”, i cili po mbahet në kryeqytet nën moton “Libri hap botën”.
Panairi, që organizohet për të 26-in vit nga Shoqata e Botuesve të Kosovës në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit, Pallatin e Rinisë dhe Komunën e Prishtinës, ka mbledhur këtë vit rreth 100 botues shqiptarë.
Sipas organizatorëve, në edicionin e sivjetmë janë prezantuar rreth 2 mijë tituj të rinj, ndërsa gjatë ditëve të panairit janë planifikuar më shumë se 40 aktivitete të ndryshme, përfshirë promovime librash dhe diskutime me autorë pjesëmarrës.
“Motoja e edicionit të 26-të të Panairit të Librit është ‘Libri hap botën’”, thuhet në njoftimin për vizitën e kryeministrit në detyrë Albin Kurti.
Panairi i Librit “Prishtina 2026” është hapur më 17 qershor dhe do të qëndrojë i hapur deri në mbrëmjen e së dielës, më 21 qershor, duke ofruar për lexuesit mundësinë të njihen me botimet më të reja dhe të marrin pjesë në aktivitetet kulturore të organizuara në kuadër të tij.