Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se ‘presidenti serb, Aleksandar Vuçiq në koordinim me Rusinë, mbi varrezat masive, po përgatit kërcënime dhe ultimatume të reja ndaj Kosovës’.
Kurti ka listuar veprimet që duhej të ndërmerrte Serbia për të vrarët në luftën e fundit në Kosovë, të dhunuarit, të dëbuarit në vend që të jepte ultimatum e që të vazhdonte me kërcënime.
“Qasja e pushtetit në Serbi ndaj Kosovës është tejet dëshpëruese. Fillimisht u normalizua pandëshkueshmëria dhe fushatat propaganduese. E tash po synohen të normalizohen sulmet paramilitare dhe terroriste (Banjska, 24 shtator 2023), kërcënimet dhe ultimatumet, të cilat arsyetohen me lajme të rrejshme dhe fushata dezinformuese, para syve të botës demokratike. Sot, Kosova është më e fortë se kurrë më parë, nuk trembet nga kërcënimet. Ne mbrojmë të gjithë qytetarët tanë dhe liritë e të drejtat e tyre, integritetin territorial dhe sovranitetin shtetëror të vendit tonë, progresin demokratik e socio-ekonomik të popullit dhe institucioneve tona. Mirëpo, kjo që po ndodhë aktualisht, tregon se sa larg është Serbia nga vlerat demokratike dhe njerëzore dhe sa e mishëruar mbetet me gjenocidin e kryer në vitet e ‘90-ta”, ka shkruar i pari i qeverisë në faqen e tij të facebook-ut.