Kusari-Lila: Nuk e votojmë Kadri Veselin, Haradinaj nuk e formon Qeverinë

Prishtinë | 26 Kor 2017 | 14:17 | Nga

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës do të mbahet më 3 gusht. Përveç betimit të deputetëve në këtë seancë pritet të zgjidhet Kryesia dhe kryetari i Kuvendit.

Por, paralajmërimi i zyrtarëve të PDK-së se Kadri Veseli do të jetë kandidat për postin e kryeparlamentarit po kundërshtohet fuqishëm nga koalicioni LDK-AKR-Alternativa.

Mimoza Kusari-Lila në një prononcim për “Indeksonline” ka thënë se Veseli nuk do të arrijë të votohet për këtë pozitë.

E pyetur nëse do të pranonin të votonin ndonjë kandidat tjetër të PDK-së për kryetar të Kuvendit, Kusari-Lila ka thënë se varet kush kandidon.

“Mendoj që gjithçka do të jetë gati prej anës tonë me 3 gusht, në kuptimin që do të jetë e qartë që PAN-i nuk i ka numrat, as për votimin nëse e kandidon Kadri Veselin për kryetar të Kuvendit dhe natyrisht as për votimin e Haradinajt. Varet prej kandidatit, kërkush nuk e ka besimin blanko të deputetëve, e zoti Veseli nuk e ka fare besimin”, ka thënë ajo.

Kusari-Lila ka folur rreth mundësisë së një koalicioni LAA-Vetëvendosje. Ajo ka sqaruar se janë formuar grupet programore që po punojnë për të formuar një program të përbashkët mes subjekteve.

“Ne veç kemi deklaruar për një proces të bisedimit të skemave programore dhe programit qeverisës mes të dy grupeve gjegjësisht koalicionit LAA dhe Vetëvendosjes, këto janë bisedime në proces. Grupet programore të formuara po punojnë për një program të përbashkët”, ka thënë tutje ajo për “Indeksonline”.

Ndryshe, lidhur me kandidimin e Kadri Veselit për kryetar të Kuvendit është shprehur kundër edhe Vetëvendosje. Kjo e fundit nga zgjedhjet e 11 qershorit ka arritur të dalë e dyta më 27.49 %, pas koalicionit PAN me 33.74%.(Indeksonline)

Të ngjashme