Kusari-Lila: Po rrezikojmë formimin e qeverisë për marrëveshjen për president që s’ka garanci se do të zbatohet në vitin 2021

Prishtinë | 09 Dhj 2019 | 19:06 | Nga Ekonomia Online

Mimoza Kusari-Lila, deputete në listën e Vetëvendosjes, ka thënë se një marrëveshje për postin e presidentit nuk ka garanci se do të ndodhë ashtu si dakordohen palët tani – që duket se është pikërisht ky post që po krijon ngërç mes Vetëvendosjes dhe LDK-së për arritjen e marrëveshjes për koalicion bashkëqeverisës.

“Për emërimin e Atifete Jahjagës në krye të shtetit ka pasë marrëveshje. Në atë marrëveshje është nënshkruar edhe vet Isa Mustafa. Ajo marrëveshje ka përfshirë mbajtjen e postit nga Atifete Jahjaga për një vit derisa të arrihet Reforma Zgjedhore që e mundëson zgjedhjen e presidentit direkt nga ana e popullit”.

“Të nënshkruar në atë marrëveshje janë Hashim Thaçi si kryetar i PDK-së dhe kryeministër në atë kohë, Isa Mustafa si kreu i opozitës, Behgjet Pacolli që e liroi detyrën e presidentit si rrjedhojë e një procesi që u konsiderua jokushtetues në zgjedhjen e tij dhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Christofer Dell si dëshmitar i kësaj marrëveshje”.

“Ky është argumenti kryesor që tregon se një marrëveshje për presidentin apo për procesin për zgjedhjen e presidentit jo domosdoshmërisht ta garanton që do të ndodhë e njëjta gjë”.

“Gjatë periudhës kohore nuk u punua në Reformën Zgjedhore të cilën nuk e kemi as sot. Atifete Jahjaga e ka përfunduar mandatin e saj të plotë, që nuk e di se a ka pasë president tjetër që e ka përfunduar mandatin e plotë, duke përjashtuar Ibrahim Rugovën”.

“Edhe sot e rrezikojmë formimin e qeverisë për një marrëveshje për të cilën nuk ki garanci se mund të funksionojë ashtu siç nënshkruhet sot, me krejt vullnetin e mirë të dy palëve”.

“Isa Mustafa nga përvoja e tij politike dhe institucionale duhet ta dijë se edhe një marrëveshje e tillë mund të nënshkruhet sot dhe të jetë pjesë e marrëveshjes, por sa do të zbatohet në vitin 2021 duke marrë parasysh rrethanat në të cilat lëviz situata politike në Kosovë nuk mund të japë garancë askush”.

Kusari-Lila në Info Magazine të Klan Kosovës ka thënë se në mes dy partnerëve që kanë besim të ndërsjellë nuk ka ‘bomba të kurdisura’.

Ajo kështu i është referuar asaj që ka deklaruar ditë më parë nënkryetari i LDK-së Lutfi Haziri që kishte deklaruar se po punohet për arritjen e koalicionit në mënyrë që edhe ndarja e pozitave dhe gjithçka tjetër të qartësohet ashtu që në qeverinë LDK-LVV të mos ketë ‘bomba të kurdisura’.

“Nuk ka bomba të kurdisura mes dy partnerëve që besojnë në njëri-tjetrin. Nuk ka bomba të kurdisura midis një procesi që prezanton shumicën e vullnetit të qytetarëve të Kosovës”.

“Mbi të gjitha, qytetarët me 6 tetor kanë votuar për ndryshim. Nëse ne prapë sillemi njëjtë sikur subjektet tjera politike ashtu që çdo gjë bëhet pjesë e pazarit politik, atëherë nuk po e përfaqësojmë këtë vullnet”.

“LDK-ja doli e dyta për shkak që e bëri ndryshimin me kandidaten e tyre për kryeministre. Ajo ishte risia dhe pjesa pozitive që u mirëprit nga elektorati i LDK-së, pra LDK-ja nuk garoi siç ka qenë deri tash, por tregoi vullnet për ndryshim”.

“Tash, nëse pas 6 tetorit mbyllim krejt mësimet që morën nga elektorati dhe hapim librin e vjetër të marrëveshjeve politike që kanë ndodhë në vitet 2012, 2014 dhe 2017, ne po e injorojmë atë vullnet që u prezantua më 6 tetor”.

“Nuk po tregojmë që po i mbesim besnik dëshirës së njerëzve për ndryshim. Duhet të kemi arsye tepër të fortë për t’i dalë në kundërshti atij vullneti”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme