Kusari-Lila thotë se ka kaluar koha e konferencave ndërkombëtare për Kosovën

Prishtinë | 05 Kor 2023 | 22:03 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka propozuar një konferencë të përbashkët ku kryeministri, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, do të mbylleshin derisa të përfundonte diskutimi për të gjitha mospajtimet.

Mirëpo, shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, vlerësoi që koha e konferencave ndërkombëtare për Kosovën tashmë ka kaluar.

“Atë e kemi konsideruar të papranueshme prej momentit kur është plasuar, për arsyen se koha e konferencave ndërkombëtare për Kosovën ka kaluar. Pas shpalljes së pavarësisë nuk e konsiderojmë si të domosdoshme. Konferencat e tilla ndërkombëtare mund të bëhen në kontekstin rajonal të të gjitha shteteve pjesëmarrëse dhe jo në kontekstin e gjetjes së zgjidhjes për Kosovën apo mbi Kosovën, sepse ne tashmë i kemi edhe marrëveshjet e dakorduara, por

edhe ligjet dhe Kushtetutën e cila i parasheh të gjitha të drejtat dhe privilegjet që janë për komunitetet joshumicë në Kosovë”, deklaroi Kusari-Lila në emisionin “Këndi i Debatit”.

Më tej, Kusari-Lila tha se zgjidhja e problemit aktual në veri mund të bëhet vetëm më zbatimin e marrëveshjeve të dakorduara nga Kosova dhe Serbia, e për çka ajo tha se duhet të bëhet presion te Serbia.

“Në situatën aktuale problem nuk janë gjetja e një zgjidhje. Ka marrëveshje. Problem është zbatimi i saj. Dhe për zbatimin e saj nuk duhet vendosur sytë nga Kosova, por nga Serbia dhe jo përmes një konference ndërkombëtare, por përmes insistimit që ata të pranojnë marrëveshjen për të cilën fillimisht janë deklaruar brenda dhe pastaj kanë refuzuar jashtë dhe e kanë shkelur në disa instanca”, shtoi tutje ajo në Tëvë1.

Rama gjithashtu ka përmendur ekzistencën e marrëveshjes së Ohrit, dhe ka thënë se të dy liderët ia hedhin fajin njëri-tjetrit pse nuk zbatohet.

Të ngjashme