Kush janë Emmanuel Bonne dhe Jens Plotner që tash e tutje do merren me dialogun Kosovë–Serbi?

Prishtinë | 05 Sht 2022 | 08:36 | Nga Ekonomia Online

Kur presidenti francez, Emmanuel Macron merr një vendim në politikën e jashtme, ai vendim është pothuajse e pamundur të mos ketë kaluar nëpër llupën e emnakut të tij, Emmanuel Bonne.

Derisa veprimet politike në diplomacinë gjermane, shumë shpesh janë këshilla të elaboruar deri në detaje, nga ushtaraku, juristi dhe studiuesi i shkencave politike, Jens Plotner.

I pari, Emmanuel Bonne, është këshilltari kryesor në politiken e jashtme i presidentit francez, qysh nga viti 2019, kurse i dyti, Jens Plotner, mbanë pozitën e njëjtë pranë kancerlarit gjerman, që nga dhjetori i vitit 2021.

Të dy këta emra, do jenë njerëzit kryesorë të angazhuar nga presidenti francez, Emmanuel Macron dhe nga kancerlari gjerman, Olaf Scholz, si ndihma direkte e dy superfuqive evropiane, për t’i dhënë një zgjidhje finale problemit mes Kosovës dhe Serbisë.

Kjo u bë e ditur këtë të diel, në një letër të hapur të përbashkët që Macron e Scholz ua kanë dërguar Albin Kurtit e Aleksandër Vuçiç-it.

“Ne kemi ngarkuar me punë këshilltarët tonë të politikës së jashtme dhe sigurisë, z.Jens Plotner dhe z.Emmanuel Bonne, për të mbështetur direkt Miroslav Lajçak në përpjekjet e tij”, thuhet në letër.

Madje, të dy, bashkë me Lajçakun, pritet që të vizitojnë Kosovën, “në mënyrë që të gjejnë opsionet, që procesi të lëvizë përpara shpejt.

Emmanuel Bonne

Bonne është emër me peshë në diplomacinë franceze. Ai është diplomat karriere që shërben si këshilltar i presidentit nga viti 2019.

Bonne dhe sekretari amerikan i politikes se jashtme, Antony Blinken

Gjatë kësaj kohe, ai është angazhuar në shumë role nga Macron. Është njeriu kryesor i Francës për Samitin e G7-tës në hartimin e Planit të Përbashkët për Veprim. Është i angazhuar në Nord Stream 2 dhe në paktin AUKUS (Pakti trepalësh) dhe gjithashtu njeriu kryesor në çështjet bilaterale me partnerët kryesorë të Francës.

Para se të vinte këshilltar te Macron, Bonne për dy vjet shërbeu si drejtor i kabinetit në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme (2017-19).

Ai në këtë pozitë vinte nga shërbimi si ambasador në Libi. Por, pozitat e rëndësishme të tij në diplomacinë franceze fillojnë qysh nga viti 2000, kur ishte i angazhuar në Administratën Qendrore për rajonet e Afrikës Veriore dhe Lindjes së Mesme.

Bonne në diplomaci vinte nga akademia, ku si shkencëtar politik ishte i specializuar në çështje të Lindjes së Mesme.

I shkolluar dhe diplomuar në Institutin për Shkenca Politike në Grenoble, Bonne ka punuar një kohë të gjatë dhe në institute të shkencave politike.

Jens Plotner

Plotner ka rrugëtim shumë të ngjashëm me Bonne, përveç se ky ka dhe një ngjyrim prej ushtaraku. Ai ka karrierë të gjatë si diplomat, dhe është këshilltar për politikën e jashtme dhe të sigurisë i kancelarit Olaf Scholz që nga dhjetori 2021.

Jens Plotner ne bisede me Olaf Scholz

Para kësaj pozite, nga prilli 2019 deri në dhjetor 2021 ka qenë Drejtor Politik në Ministrinë e Jashtme Federale.

Në vitin 1994 hyri në shërbimin e jashtëm dhe, pasi kreu trajnimin për atashe në vitin 1996, u bë zv/drejtues zyre pranë Ministrit të Shtetit në Ministrinë e Jashtme gjermane.

Më pas kishte punuar në Departamentin Politik të Ambasadës në Izrael nga viti 1998 deri në vitin 2002 përpara se të bëhej zëdhënës për Lindjen e Mesme dhe Çështjet e Kombeve të Bashkuara në Zyrën Federale të Jashtme deri në vitin 2005.

Pas kësaj, ai ishte së pari zëvendës zëdhënës i Ministrisë së Jashtme Federale dhe më pas nga viti 2007 deri në 2008 zëvendësdrejtor i zyrës ministrore të Frank-Walter Steinmeier.

Nga viti 2009 deri në vitin 2012, Jens Plotner ishte ambasador në Shri Lanka, i bashkëakredituar në Maldive. Nga qershori 2012 deri në 2014, Plotner ishte ambasador në Tunizi, duke pasuar Horst-Wolfram Kerll, i cili kishte dalë në pension.

Nga viti 2014 deri në vitin 2017 ka qenë Shef i Zyrës së Ministrit në Ministrinë e Jashtme Federale (përsëri nën ministrin e Jashtëm Steinmeier). Nga korriku 2017 deri në mars 2019, Plotner ishte ambasador në Greqi.

Në prill 2019, u emërua Drejtor Politik i Ministrisë së Jashtme Federale, duke e bërë atë një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Ministrit të Jashtëm Heiko Maas.

Pasi kishte kryer shërbimin ushtarak në Bundesver, Plotner studioi fillimisht Drejtësinë, dhe më pas u specializua në të Drejtën Publike dhe të Drejtën Ndërkombëtare. Studimet i ka të kryere në disa universitete si ai i Hamburgut, Bordos dhe Sorbones. Kurse shkencat politike i ka të përfunduara në Institutin për politika në Paris.

Të ngjashme