Kriza politike në vend, mungesa e investimeve strategjike, e investitorëve, mungesa e një politike të zbatueshme ekonomike, shkalla e lartë e papunësisë kanë bërë që situata ekonomike në Kosovë të thellohet, shkruan Gazeta Fjala.
Kanë kaluar disa muaj që kur fjala ‘ekonomi” në Kuvendin e Kosovës nuk është dëgjuar fare.
Për dështimet e aseteve më të mëdha në vend si Brezovica, Trepça, Ferronikeli, fjalë nuk kanë thënë as të deleguarit e shtetit që janë të thirrur të diskutojnë për ekonominë e vendit në Kuvend.
Në seancat e legjislativit të vendit kryesisht diskutohet për situatën politike, inatet partiake e shumë pak për punësimet e dështimet e Qeverisë në projektet e mëdha ekomomike.
E se deputetët nuk po merren me ekonominë, e pranojnë edhe drejtues të komisioneve që lidhen me ekonominë e njohës të ekonomisë në vend.
Në një prononcim për Gazetën Fjala, Naser Osmani, anëtar i Komisionit për Buxhet Dhe Financa, thotë se situata politike në vend është ndikuesi kryesor për krijimin e kushteve më të mira për të bërë biznes.
Osmani thotë se për momentin Kosova nuk është duke shkuar në trend të mirë politik.
“…Kjo është një situatë që në vazhdimësi që deputetët janë duke e bërë. Po diskutohet në komisione por edhe përmes pyetjeve parlamentare lidhur me këto çështje ekonomike. Çështja politike është ndikuesi kryesor që krijon rrethana për biznese të mira apo jo të mira”, ka thënë Osmani.
Sipas tij, trendi politik po ndikon në situatën ekonomike.
“Për momentin Kosova nuk është në një trend të mirë politik, prandaj edhe investitorët iu shmangen investimit në Kosovë”, ka thënë Osmani.
E për partinë opozitare në vend, Lëvizjen Vetëvendosje, çështja e ekonomisë asnjëherë nuk ka qenë prioritet i Qeverisë.
Zëdhënësi i kësaj Lëvizje, Frashër Krasniqi, ka deklaruar se i gjithë faji për ngecjet në zhvillimin ekonomik të vendit, qëndron tek Qeveria.
“Janë pikërisht këta njerëz që në përgjimet e fundit kërcënojnë njëri-tjetrin se do të ia zbulojnë skandalet korruptive lidhur me privatizim të Feronikelit. Në të njëjtën mënyrë është vepruar edhe në raport me ndërmarrjet e tjera. Prandaj, faji për gjendjen ekonomike dhe ngecjen e zhvillimit ekonomik është i tëri tek Qeveria”, ka thënë ai.
Deputetët po i anashkalojnë problemet ekonomike
Ndërkohë që Drejtori i Qendrës për Hulumtime strategjike STRAS, Ibrahim Rexhepi, thotë se është e vërtetë se deputetet- Kuvendi i Kosovës është i fokusuar te demarkacioni dhe sikur ka lenë anash problemet e natyrës ekonomike, madje edhe miratimin ligjeve.
Por Rexhepi thotë se pa u tejkaluar problemet që ndërlidhen me Demarkacionin, , bashkësinë e serbeve, te cilat i takojnë rrafshit politik, vështire se mund të ketë edhe stabilitet politik.
“…. Për ketë arsye zhvillimi ekonomik nuk mund te arrihet pa stabiliotetin politik. Për ketë arsye edhe çështjet qe duken se nuk janë te natyrës ekonomike kane ndiçmin ne zhvillim”, ka thënë Rexhepi.
E për dështimet e Trepçës, Ferronikelit, apo Brezovicës, Rexhepi thotë se janë janë probleme te Qeverisë.
“Qeveria duhet të tregojë se çfarë qëllimi ka dhe për ketë te deklarohen deputetet”, tregon Rexhepi.
Ndërkohë që ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, thotë se të gjithë parametrat e planifikimit të zhvillimit të vendit që nga pas lufta e kanë rrënuar ekonominë e vendit.
“Sa u përket përfaqësuesve të popullit, se paku ne dy legjislaturat e fundit është punuar me sistem nga liderët politik që të kemi ketë gjendje të mjerë”, thotë Krasniqi.
Ai thotë se të deleguarit e shtetit i kanë përcaktuar vetës prioritete të tjera si të sigurisë, e jo të çështjeve ekonomike.
“Në rend të parë, çështjet programore të zhvillimit ekonomik, politikave zhvillimore e investive janë çështje kryesisht të qeverisë, të punës së saj programore…. Pastaj është ligjitimimi i atyre politikave nga Kuvendi i Kosovës, i cili i ka përcaktuar veti prioritete të tjera e kryesisht të sigurisë. Në fakt kjo gjendje e krijuar që sa kohë tregon më se miri se ata njerëz nuk janë duke e ditur pse janë aty”, ka thënë ndër tjerash Jakup Krasniqi.
E në hulumtimet e bëra nga organizatat joqeveritare, qytetarët e Kosovës problem kryesor e konsiderojnë papunësinë.
Shkalla e papunësisë në Kosovë, sipas të dhënave zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës kishte shënuar rënie të lehtë nga 30.9 për qind në 30.0 për qind midis viteve 2012 dhe 2013, mirëpo ka shënuar rritje në 35.3 për qind në vitin 2014./GazetaFjala/