Aktivitetet për shënimin e 20 vjetorit të “Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, në Komunën e Rahovecit, kanë filluar sot me mbajtjen e mbledhjes solemne të Kuvendit Komunal të Rahovecit. Të pranishme në mbledhje solemne ishin, Kryetari i Komunës së Rahovecit, drejtorët e drejtorive, kuvendar, përfaqësues të FSK-së, LMT-së dhe Vajdin Berisha, kryetar i OVL e UÇK-së dega në Rahovec.
Në fjalën e tij të mbajtur në mbledhjen solemne për nder të shënimit të 20 vjetorit të “Epopesë së UÇK-së”, Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka folur për UÇK-në, sakrificën, heroizmin e familjes së Komandantit Adem Jashari dhe të gjithë dëshmorëve të rënë për lirinë e Atdheut.
Në vazhdim, fjalimi i Kryetarit të Komunës së Rahovecit, të mbajtur sot në mbledhjen solemne të K.K të Rahovec, me rastin e shënimit të 20 vjetorit të “Epopesë së UÇK-së”.
Të nderuar kuvendarë të Kuvendit të Komunës sonë,
Të nderuara familje të dëshmorëve,
Invalidë dhe veteranë të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,
Të nderuar të pranishëm,
Jemi mbledhur sot në këtë sallë Kuvendi, në datën e vitit jubilar të 20 vjetorit të Epopesë së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për të kujtuar me krenari sakrificën dhe heroizmin e Familjes së Komandantit Adem Jashari, Familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve të rënë për lirinë e Atdheut.
Ne sot po shënojmë njërën nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë së popullit shqiptar, po shënojmë “Epopenë e Lavdishme të UÇK-së”, po kujtojmë rënien heroike të Adem Jasharit dhe familjes Jashari në marsin e vitit 1998”.
Epopeja e UÇK-së nuk erdhi rastësisht, ajo ishte rezultat i përpjekjeve dhe luftërave të vazhdueshme të popullit tonë për çlirim. Datat 5, 6 dhe 7 Mars janë betejat e para, në të cilat u dha kushtrimi i lirisë. Flaka e luftës së organizuar të UÇK-së dhe fryma liridashëse u përhap shumë shpejt në të gjithë vendin, në të gjitha zonat operative dhe në të gjitha trojet shqiptare. Me heroizmin e Komandantit Adem Jashari dhe familjes së tij, botës iu bë e qartë se populli shqiptar është i gatshëm të vdesë për lirinë e vendit të vet. Kjo është epopeja e madhe, të cilën e bëri Adem Jashari me familje. Ky flijim i papërsëritshëm ndezi zemrat e shqiptarëve liridashës për t’i rrokur pushkët e lirisë si dhe detyroi botën ta shihte të vërtetën shqiptare. Kushtrimi i rënies së komandantit Adem Jashari dhe familjes së tij u përhap rrufeshëm edhe në Rahovec. Mijëra djem e vajza u rreshtuan menjëherë në radhët e UÇK-së, në formacionet e saj, dhe çdo lagje e shtëpi, në qytet e fshat u bë çerdhe për ushtarët e lirisë.
Të nderuar të pranishëm!
Përjetuam dhembje të shumta, sepse rëniet ishin të shumta! Pamë vrasje e masakra të tmerrshme e djegie të të vrarëve, përpjekje të sofistikuara për t’i fshehur gjurmët e krimeve dhe gjenocidit, dëbime të popullsisë së pambrojtur shqiptare, shkatërrim e djegie masive të shtëpive dhe rrënim të ekonomive familjare të ngritura me shumë mund nga qytetarët tanë, dhunime e çka jo tjetër, deri te planet për shfarosje të shqiptarëve. Në këto troje, në mënyrë të planifikuar janë ndërmarrë ofansiva të shumta nga shteti i Serbisë.
Krimi ka adresë dhe ajo është Serbia e cila meriton ndëshkim nga drejtësia, duke ia dhënë dënimin e merituar gjithë aparatit pushtues, urdhërdhënësve dhe pjesëmarrësve në këto krime të tmerrshme me përmasa të gjenocidit.
Në të njëjtën kohë, u dëshmua botërisht shpirti i madh i rezistencës dhe i vendosmërisë së shqiptarëve autoktonë për të luftuar për lirinë e vet.
Janë mijëra që ranë në logun e nderit, sa e sa u gjymtuan, ende edhe sot e kësaj dite familjarët e tyre nuk dinë ku i kanë të dashurit e tyre pa shenj e pa varre. Ende nuk i dime ku janë as 64 krushjanë e as atdhetarin dhe politikanin e shquar profesor Ukshin Hotin.
Sa shumë u burgosën e u persekutuan, sa shumë dhembje e lot u derdh, por njëkohësisht, të gjithë ne ndihemi krenar për të rënët e për ata që i mbijetuan gjithë kësaj egërsie pushtuese. Pra, edhe Komuna jonë ka dhënë heronj e dëshmorë, invalidë e luftëtarë nën flamurin e Brigadës 124 “Gani Paçarizi”. Janë shumë prej tyre që dhanë mundin, djersën dhe gjakun për liri.
Qytetarë të nderuar të Rahovecit, unë dhe ju, të gjithë jemi krenar për kontributin e djemve dhe vashave më të mira të Rahovecit, që ranë për lirinë e vendit.
Me këtë rast, krahas punëve të shumta e të vështira që na presin dhe rrugës së gjatë që kemi para vetes, përherë nga ne e brezat që vijnë kemi detyrim të përkulemi me nderim para veprës së tyre, para heroizmit të tyre, dhe me plot zemrën t’ju thurim lavdi të përjetshme!
Lavdi e përjetshme komandantit Adem Jashari dhe familjes së tij!
Lavdi e përjetshme të gjithë dëshmorëve të rënë për Lirinë e Atdheut!