Kuvendi miraton Buxhetin 2017

Prishtinë | 23 Dhj 2016 | 01:29 | Nga

Kuvendi i Kosovës, në një seancë që ka zgjatur deri pas mesnatës, ka miratuar Buxhetin 2017.

Ligji është votuar nga 70 deputetë, 7 ishin kundër dhe një abstenoi.

Më herët gjatë ditës, Projektbuxheti mbi dy miliardë euro, u miratua në parim.

Seanca tjetër u tha se do të mbahej nga ora 21, por është shtyrë për disa orë.

Pozita vlerësoi se ky është buxhet i zhvillimit dhe do të gjenerojë vende pune dhe mirëqenie për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Kurse opozita vlerësoi se ky buxhet është buxhet jo zhvillimore dhe nuk do të zbus papunësinë.

Ministri i Financave, Avdullah Hoti, në seancën e rregullt të Kuvendit të Republikës së Kosovës prezantoi Projektbuxhetin e Republikës së Kosovës për 2017, i cili propozim-buxhet parasheh shpenzime prej 2 miliardë euro.

Sipas Hotit, të hyrat e rregullta buxhetore janë planifikuar të jenë 1 miliard e 725 milionë Euro.

“Kjo përfaqëson një rritje prej rreth 6% në raport me vitin 2016 dhe 17% në raport me vitin 2015. Ndërkaq krahasuar me vitin 2014, ka një rritje prej 28% ku pothuajse e gjithë kjo rritje është rezultat i rritjes të të hyrave të rregullta buxhetore nga ATK dhe Dogana, në shumë prej rreth 380 mil euro më shumë”, ka shpjeguar ai.

Sipas tij, të hyrat nga ATK-ja pritet të rriten me mbi 9% në krahasim me vitin 2016 dhe 23% në raport me vitin 2015. Krahasuar me vitin 2014, rritja është për 40% më shumë apo 117 mil. euro më shumë.

Ndërsa, të hyrat e mbledhura nga Dogana janë projektuar të rriten me 6.5% në krahasim me 2016 dhe 16.4% në raport me vitin 2015. Edhe në rastin e Doganës, nëse krahasohet me vitin 2014 rritja është 27% apo 239 mil. euro më shumë.” shtoi Hoti.

Ndërsa, sa i përket shpenzimeve buxhetore për vitin 2017, ministri Avdullah Hoti theksoi se në këtë propozim-buxhet parashihen shpenzime prej 2 miliardë euro. Dhe duke krahasuar me vitin 2016, shpenzimet rriten me mbi 15%, ndërkaq krahasuar me 2015 rriten me 28% dhe me 2014 për 38%.

Kurse Naser Osmani, kryetar i Komisionit për Buxhet dhe Financa theksoi se Komisioni ka shqyrtuar 99 kërkesa, 32 kërkesa në formë të amendamenteve dhe nga kjo janë bërë 60 amendamente që përbëjnë 150 ndryshime buxhetore.

Ndërtimi i memorialit në Meje kalon si amendament

Gjatë debatit për amendamentimin e Projektligjit për Buxhetin e vitit 2017, kryeministri i Kosovës Isa Mustafa ka thënë se do të vijmë në një pozitë të pavolitshme nëse votojmë pa burime.

“Ne do të vijmë në një pozitë të pavolitshme nëse votojmë pa burime. Edhe ligjet duhet me i bërë mbi bazën e burimit. Ju kisha lut që të kemi kujdes, nëse bëjmë ndryshime duhet me burime, sepse pa burime e kemi vështirë me bë ligje. Me bë ligj pa mbulesë nuk mund të pajtohem”, tha Mustafa.

Reagimi i kryeministrit Mustafa erdhi pas kalimit të amendamentit 31, që parasheh financimin e ndërtimit të memorialit të varrezave të Mejës, pa përkrahje të komisionit funksional, i propozuar nga deputetja e AAK-së, Teutë Haxhiu.

Kryeministri me këtë rast kërkoi që të korrigjohet ky lëshim, por kryeparlamentari Kadri Veseli theksoi se edhe pse amendamenti 31 për varrezat e Mejës e prish balancin e buxhetit, ai tashmë ka kaluar dhe është ligj, prandaj duhet gjetur mjetet për të.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme