Kuvendi miraton në lexim të parë projektligjin kundër Coronavirusit

Prishtinë | 07 Gus 2020 | 18:19 | Nga Ekonomia Online

Kuvendi i Kosovës ka miratuar të premten në lexim të parë projektligjin që ka të bëjë me pandeminë e koronavirusit, i cili është propozuar nga gjashtë deputetë, në krye me Kryetaren e Kuvendit, Vjosa Osmani.

Në të mirë të këtij projektligji kanë votuar 77 deputetë, 1 ka qenë kundër dhe 1 tjetër ka abestenuar.

Përgjatë kësaj seance është përkrahur edhe propozimi i Komisionit të Shëndtësisë që leximi i dytë i këtij ligji të bëhet të premten e javës së ardhshme.

Kryetarja Osmani, si propozuese e projektligjit, ka thënë se ky dokument ka për qëllim të mbrojë shëndetin e qytetarëve në Kosovë dhe që, siç tha ajo, autoritetet përkatëse të ndërmarrin masat e duhura në parandalimin e sëmundjes, COVID-19, që shkakton koronavirusi, në përputhje edhe me ligjet e tjera dhe Kushtetutën e Kosovës.

“Nëpërmjet këtij ligji presim që të krijohet edhe mundësia e shqiptimit të sanksioneve për personat fizikë dhe juridikë, të cilët nuk zbatojnë masat e vendosura nga ana e qeverisë. Nëpërmjet këtij ligji parashohim ndëshkime, në veçanti për ata persona që pozitën apo ndikimin e tyre në shoqëri e keqpërdorin për të shpërndarë dezinformata se nuk ka virus”, ka thënë Osmani.

Ajo ka ftuar deputetët që të votojnë projektligjin në leximin e parë duke thënë se ‘ligji nuk është vetëm i deputetëve propozues por i gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës’.

“Për arsye të ndryshme ky ligj është zvarritur nga marsi, përkundër faktit që ka qenë kërkesë e qartë e Gjykatës Kushtetuese, dhe pastaj që nga prilli, kur edhe zyrtarisht është vendosur të procedohet kjo nismë. Deri tani ligji ka mbetur peng i politikave, por shpresoj që tash japim shembull se e vendosim shëndetin para politikave”, ka shtuar mes tjerash ajo.

Kryetarja e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Albena Reshitaj, nga Aleanca për Ardhmëri e Kosovës, tha se ligji duhet të përkrahet, por atij duhet t’i shtohet edhe neni për përkrahjen e personelit shëndetësor.

Në draft-ligjin e hartuar tashmë, e i cili ka vetëm tetë nene, thuhet se ‘ligji ka për qëllim që të krijojë hapësirën e domosdoshme juridike për autoritetet me qëllim të luftimit dhe parandalimit të pandemisë’.

Në Kosovë aktualisht lidhur me situatën e pandemisë veprohet në bazë të Ligjit për Parandalimin dhe Luftimin e Sëmundjeve Ngjitëse. Edhe dënimet në rast të mosrespektimit të vendimeve bazohen po në këtë ligj.

Në Ligjin për Parandalimin dhe Luftimin e Sëmundjeve Ngjitëse, nuk ka qenë e paraparë pandemia si COVID -19, rrjedhimisht disa deputetë të Kuvendit të Kosovës, por edhe juristët kanë kërkuar miratimin e një ligji të ri, i cili do të ishte më i përshtatshëm për rrethanat e krijuar me pandeminë.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK) ka raportuar të premten për tre pacientë të vdekur dhe 181 të infektuar me koronavirusin e ri brenda 24 orëve.

Të infektuarit janë identifikuar pas 463 testimit të mostrave.

Marrë parasysh shifrat e fundit, numri i personave të infektuar në Kosovë me sëmundjen Covid-19, që shkakton koronavirusi, ka arritur në 9,869.

Prej tyre, 303 kanë vdekur, derisa, 5,480 janë shëruar.

Kosova ka regjistruar rastet e para me koronavirus më 13 mars.

Të ngjashme