Kuvendi miraton Projektligjin për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve

Prishtinë | 03 Maj 2018 | 13:17 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Plotësim:

Me 56 vota për dhe 30 kundër është miratuar projekligji për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Tahiri paraqet Projektligjin për gjyqtarët dhe prokurorët, VV dhe LDK kundër tij

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri para deputetëve të Kosovës ka paraqitur për shqyrtim Projektligjin për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Tahiri tha se ky projekligj do ta sigurojë pavarësinë e plotë të prokurorisë dhe gjyqësisë.

Sipas tij, ky projektligj është edhe një nga kërkesat e BE-së, raporton Ekonomia Online.

“Ky projektligj është pjesë e pakos për projektligjin për gjyqësorin…. Gjyqësorin dhe prokurorinë e vendos në rrugë të shëndoshë që krahas pavarësisë të shihet edhe llogaridhënia. Ky projektligj është në harmoni të plotë me atë të Këshillit Gjyqësor dhe Prokurorial… Miratimi i tij është shprehje e përkushtimit tuaj për reformën e nisur”.

“Kërkesa për një rregullim të tillë ka qenë kërkesë direkte e BE-së. E shprehur në raportin për vendin e vitit 2016 dhe në këtë raport”.

Kryetarja e komisionit të legjislacionit, Albulena Haxhiu tha që në komisionin që ajo udhëheq kanë shqyrtuar këtë projektligj dhe kanë ardhur në përfundim që në seancë si komision të rekomandojnë që ky projektligj të mos miratohet.

Sipas Haxhiut, ky projektligj bën që në sistemin e drejtësisë t’i fusë duart Ministria e Drejtësisë, raporton Ekonomia Online.

“Kemi rekomanduar që të mos miratohet projektligji. Tani vetëm dy prej shqetësimeve kanë qenë që me këtë projektligj në sistemin e drejtësisë e i futë duart ekzekutivi, në këtë rast Ministria e Drejtësisë.

Kjo është një ndikim i drejtpërdrejtë në sistemin e drejtësisë dhe nuk është e vërtetë që do ta ndihmojë sistemin e drejtësisë, por përkundrazi do ta dëmtojë atë. Unë ftoj deputetët në emër të komisionit që të mos miratohet projektligji për përgjegjësinë disiplinore”.

I të njëjtit mendim është edhe Korab Sejdiu, i cili prezantoi shqyrtimin e projektligjit në emër të GP të LDK-së.

“Grupi ynë ka shqetësime serioze, ky ligj përveç probleme të zakonshme ka edhe disa probleme që konsiderojmë të jenë fatale për këtë ligj.Gjatë diskutimeve brenda grupit janë bërë shqetësime lidhur me përfshirjen serioze të ekzekutivit në këtë projektligj”.

Mirëpo Hajdar Beqa nga grupi parlamentar i PDK-së kërkoi nga deputetët që ta votojnë këtë projektligj për shkak se nëse kjo nuk ndodh, sipas tij, do të humb konsistencën në realizimin e reformave në drejtësi, raporton EO.

“Ajo që është risi, është fakti që i është dhënë një rol i veçantë edhe avokatit të popullit dhe rolin e tij në procesin e hetimeve. Palët e pakënaqura mund të shfrytëzojnë edhe mekanizma të tjerë…Nëse nuk e miratojmë humbin koinsistencën për ta adresuar reformën e drejtësisë. Konsideroj që deputetët e Kuvendit duhet ta përkrahin në këtë fazë, kurse në mes të dy leximeve t’i japin komentet e tyre”.

Në emër të GP të Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu tha se ky projektligj është i papranueshëm për ta.

“Ka qenë e rëndësishme që zyra e prokurorit disiplinor të ketë ligj të veçantë dhe sigurisht një ligj i veçantë do ta fuqizonte tej mase edhe me buxhet por edhe me staf. Për ne është i papranusheëm ky projekligj. Ne e kundërshtojmë përfshirjen e ekzekutivit apo të Ministrisë së Drejtësisë”.

“Ky rregullim është i rrezikshëm dhe do ta dëmtojë sistemin e drejtësisë dhe do të ndikojë në rritjen e rasteve disiplinore por mund edhe të konsiderohet edhe konflikt interesi”.

Ministri i Drejtësisë në replikën e tij ndaj deputetës Haxhiu tha se ky projektligj është bërë në bashkëpunim me Këshillin Gjyqësor dhe Prokurorial.

“T’u kisha lutë mos abuzo në emër të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ky projektligj është bërë në bashkëpunim të ngushtë me Këshillin Gjyqësor dhe Prokurorial. Çështja e llogaridhënies është e degraduar dhe ky projektligj këtë do ta ngris në një nivel të ri”.

Ndërkaq, Frashër Krasniqi nga GDP tha se do ta votojnë këtë projektligj.

“Ka vërejtjet e tyre, mirëpo në parim do ta votojmë në mënyrë që në lexim të dytë t’i japim komentet tona për këtë projektligj”.

 

 

Të ngjashme