Ky është i dyshuari 31-vjeçar që plagosi me armë kunatën e tij në Prizren, ndalohet për 48 orë

Prishtinë | 18 Kor 2022 | 16:54 | Nga Ekonomia Online

I dyshuari që plagosi me armë kunatën e tij, në orët e mëngjesit në Prizren, tashmë është arrestuar. U raportua se gjithçka nisi si pasojë e një zënke në familje.

Rastin e konfirmoi edhe Policia e Kosovës, ndërkohë që Sinjali ka mësuar identitetin e të dyshuarit.

Burimet brenda Prokurorisë thonë se bëhet fjalë për Liridon Berishën, 31-vjeçar, i cili shkrepi në drejtim të kunatës sa tij, pas konfliktit, motivet e së cilit ende nuk dihen.

Pas arrestimit, me rastin e kontrollit policor, të dyshuarit i është gjetur një armë, e cila më pas është konfiskuar.

I riu është dërguar në stacion policor, ku është intervistuar dhe më pas është nxjerrë aktvendim për ndalim prej 48 orësh. Prokurori i Shtetit ka dhënë urdhër që ndaj tij të nisin hetimet për veprat penale “vrasje në tentativë” dhe “mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve”.

Çka deklaroi Policia?

Rastin për Sinjalin e ka konfirmuar Haxhi Kabashi, komandant në stacionin Policor në Prizren. “Në përleshje e sipër në shtëpi, i dyshuari ka pasur posedim një armë dhe ka shkrepur në moment duke goditur kunatën e tij. Personi është arrestuar, arma gjithashtu është konfiskuar nga Policia dhe rasti po hetohet në hetime rajonale”, tha Kabashi.

I pyetur nga Sinjali se si është gjendja shëndetësore e viktimës, pasi u plagos nga shkrepja me armë, komandanti Haxhi Kabashi tha se fatmirësisht viktima është jashtë rrezikut për jetë.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Të ngjashme