Kylian Mbappe ka thyer heshtjen për periudhën e tij te Paris Saint-Germain, duke dhënë një mesazh që ka tërhequr vëmendje të madhe në Francë.
Sulmuesi i Real Madridit, i cili prej verës së vitit 2024 është larguar nga klubi parisien, ka folur me sinqeritet për marrëdhënien e tij me PSG-në dhe presidentin Nasser Al-Khelaifi.
Në një intervistë për Le Parisien, kapiteni i Kombëtares së Francës, aktualisht i angazhuar në Kupën e Botës 2026 në Shtetet e Bashkuara, pranoi se pavarësisht tensioneve dhe betejës ligjore që vazhdon mes palëve, ai ruan respekt të madh për presidentin e klubit.

Marrëdhëniet mes Mbappes dhe PSG-së janë përkeqësuar ndjeshëm që nga largimi i tij drejt Real Madridit.
Sulmuesi francez vazhdon të kërkojë në rrugë ligjore dhjetëra milionë euro që, sipas tij, i detyrohen në paga dhe bonuse. Gjithashtu, sezoni i tij i fundit në Paris u shoqërua me polemika të shumta, përfshirë përjashtimin nga skuadra gjatë verës së vitit 2023 dhe tensionet e vazhdueshme rreth të ardhmes së tij.
Megjithatë, 27-vjeçari theksoi se nuk mund të harrojë gjithçka që PSG dhe Al-Khelaifi kanë bërë për të gjatë viteve të tij në klub.

“Në Paris ka pasur trajnerë të rëndësishëm, por edhe presidenti Nasser. Shumë njerëz kujtojnë vetëm fundin e historisë sonë, gjë që është normale, sepse largimi nga PSG-ja pothuajse gjithmonë sjell situata të tilla”.
“E dija se kur të largohesha do të përfundoja në këtë pozicion, por nuk mund të mohoj se ai ka bërë shumë për familjen time dhe për mua. Kur kam një konflikt me dikë dhe mendoj se kam të drejtë, nuk hezitoj të shkoj deri në fund. Por kjo nuk do të thotë se nuk e respektoj Nasserin”, deklaroi Mbappe.
Ylli francez shtoi se PSG-ja ka një vend të veçantë në jetën dhe karrierën e tij, pavarësisht mënyrës se si përfundoi aventura e tij në “Parc des Princes”.

“Sot jam lojtar i Real Madridit dhe kapiten i Francës, por Paris Saint-Germain dhe Nasser Al-Khelaifi zënë një vend qendror në jetën time. Është klubi ku kam kaluar më shumë vite të karrierës sime dhe nuk mund të sillem sikur ajo periudhë nuk ka ekzistuar. Kjo nuk është mënyra ime e të qenit”, u shpreh ai.
Mbappe nuk harroi të vlerësojë edhe presidentin e Real Madridit, Florentino Perez, për të cilin tha se ka qenë gjithmonë i sjellshëm dhe është përpjekur ta vendosë në kushtet më të mira të mundshme që nga momenti i transferimit në Madrid.
Me këto deklarata, sulmuesi francez ka treguar se, pavarësisht konflikteve të hapura me PSG-në, ai vazhdon ta konsiderojë periudhën e kaluar në Paris si një pjesë shumë të rëndësishme të jetës dhe karrierës së tij.