Lajçak: Duhet progres në zbatimin e marrëveshjes bazike, është marrëveshja më e mirë që kemi mundur të arrinim

Prishtinë | 05 Mar 2024 | 11:46 | Nga Ekonomia Online

I Dërguari i Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajçak, ka dalë në konferencë pas takimit me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, raporton Ekonomia Online.

Ai ka thënë se kanë folur për marrëveshjen e arritur midis Kosovës dhe Serbisë, çështjet e pagesave, aspektin monetar dhe sistemin e pagesave.

Lajçak, ka thënë se duan më shumë përparim në zbatimin e Marrëveshjes bazë, e cila tashmë ka bërë një vit që nga nënshkrimi.

Lajçaku po ashtu ka thënë se në takimin e fundit në Bruksel, u ishte lënë palëve të vendosin vetë kë duan ta dërgojnë në takim.

“Kemi diskutuar një listë të gjatë të çështjeve. Dhe më e rëndësishmja është zbatimi i Marrëveshjes bazike të arritur dhe kjo është në interes të të gjithëve që të kemi progres në zbatimin e kësaj marrëveshjeje. Është marrëveshja më e mirë që kemi mundur të arrinim. Nëse do të kishte marrëveshje më të mirë, do ta kishim bërë prandaj është në interes të secilit që të zbatohet. Sepse në këtë marrëveshje kemi të gjitha përgjigjet, çfarë të bëjmë dhe si t’i bëjmë. Pyetja e vetme është se kur do të ndodhë zbatimi i këtyre pikave. Kemi shpenzuar shumë kohë për të ndërmarrë hapa dhe ka frikë në të dyja palët se çfarë do të bëjë unë e çfarë pala tjetër. Por besoj se këto çështje munden shumë thjesht të zgjidhen”.

“Është me rëndësi të them se diskutuam edhe për çështjen e pagesave dhe që është pjesë e procesit të dialogut, diskutuam edhe këtë çështjen në takim. Ashtu siç kemi biseduar edhe në Bruksel, dhe kemi pasur disa pyetje dhe kemi diskutuar për ato që çështje që kanë tejkaluar kompetencat e delegacioneve në Bruksel”, ka thënë ai.

Të ngjashme