Lansohet platforma “Superpuna”, synohet punësimi i 10 mijë të rinjve brenda vitit 2023

Prishtinë | 06 Shk 2023 | 10:54 | Nga Enea Osmani Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i Financave, Hekuran Murati, kanë lansuar sot fillimin e pilotimit të skemës së garantuar të punësimit për të rinjtë, të quajtur “Superpuna”.

Kjo skemë parasheh subvencionimin e pagës në shumë deri 264 euro nga Qeveria e Kosovës për gjashtë muajt e parë të punësimit të të rinjve, raporton EO.

Skema parasheh punësimin e të rinjve të sektorët publikë dhe privatë të tregut të punës.

“Nga sot po e fillojmë pilotimin e skemës së garantuar për të rinjtë. Nëpërmjet saj, qeveria do të subvencionojë 264 euro, pra në lartësinë e pages minimale, për gjashtë muajt e pare të lansimit”, tha Kurti.

“Duke iu ofruar të rinjve mundësinë për të fituar përvojë të vlefshme pune dhe për të zhvilluar aftësitë e tyre, ne po ndërtojmë një fuqi punëtore të aftë, e cila do të rrisë ekonominë e vendit”, theksoi kreu i Qeverisë.

Ai ka deklaruar se lansimi i platformës “Superpuna” shënon përmbushjen edhe të një tjetër premtimi për qytetarët e Republikës.

Ndërsa, ministri i Financave, Hekuran Murati ka deklaruar se Qeveria synon të punësojë rreth 10 mijë të rinj brenda vitit të parë të lansimit të platformës “Super Puna”.

Murati tha se punësimi i të rinjve do të bëhet përmes një platforme të automatizuar dhe të integruar me agjencionet përkatëse qeveritare si AShI-ja, ATK-ja dhe ARBK-ja.

Ai ka thënë se platforma do të jetë online dhe do të jetë e qasshme për bizneset që kanë nevojë për punëtorë, si dhe për të rinjtë që kanë nevojë për punë.

“Sot prezantojmë para jush platformën ‘Super Puna’. Premtimi ynë ishte që për secilin të ri të moshës 18 deri 25 vjeç të ketë pra punën e parë të garantuar dhe të mbështetur nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Dhe, ky premtim tanimë po zbatohet. Pilotimi i projektit do të jetë në mbështetje për gjashtë muaj për secilin të ri që punësohet në tregun e punës me subvencionimin e pagës minimale prej 264 euro”, tha ai.

Ministri i Financave tha se, bazuar në testimin që është kryer deri më tash, bizneset janë interesuar që të dyfishojnë pagën minimale për punonjësit e rinj.

“Po ashtu, mundësia është që punëdhënësi të shtojë mbi këtë shumë, pra mbi shumën 264 euro, por aq sa kemi parë nga testimi ka shumë punëdhënës që janë të interesuar që të shtojnë, madje ta dyfishojnë këtë shumë të pagës”, tha Murati.

Murati ka thënë se “synimi ynë është që përmes kësaj platforme, qysh në vitin e parë të kemi krijimin e deri në 10 mijë vende të reja të punës për grupmoshat e reja nga 18 deri në 25 vjeç”.

Ministri Murati ka thënë se kushti për bizneset është që punonjësit e rinj të kenë pagë minimale në vlerë 264 euro, të cilën e subvencionon të plotë qeveria.

Zhvillimi i platformës “superpuna” është bërë me mbështetjen e Qeverisë Zvicerane. Përfaqësues i Ambasadës Zvicerane në Kosovë, z. Christophe Favre, shprehu gatishmërinë e Qeverisë Zvicerane që edhe më tej të përkrah MFPT-në në fusha me interes të veçantë për zhvillimin e Kosovës.

Përmes “superpuna”, çdo punëdhënës mund të angazhojë deri në 30% të stafit të tyre ekzistues. Pra, nëse një biznes ka 10 të punësuar, përmes “superpuna” mund të angazhojë edhe 3 punëtorë të rinj.

Pas ndërmjetësimit të suksesshëm në mes të punëdhënësve dhe punëkërkuesve, Qeveria bën subvencionimin e pagës prej 264 euro në muaj, për 6 muaj me radhë. Çdo punëdhënës ka të drejtë që të shtojë vlerën e pagës për punëtorin e angazhuar.

MFTP sqaron se bizneset të cilat regjistrohen në platformën “superpuna” do të marrin email-in konfirmues në email adresën të cilën e kanë të deklaruar në ARBK. Andaj, udhëzohen bizneset që të kontrollojnë nëse email adresa e tyre në ARBK është e saktë.

Fjala e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti në lansimin e Platformës së Punësimit të Garantuar për të Rinjtë

I nderuari ministër i Financave Punës dhe Transfereve, z. Hekuran Murati,

Të nderuar anëtarë të kabinetit qeveritar, ministrat znj. Rozeta Hajdari dhe z. Hajrulla Çeku,

Të nderuar zëvendësministra, znj. Edona Maloku – Bërdyna,

Të nderuar përfaqësues të misioneve diplomatike në Kosovë,

I nderuari përfaqësues i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, Jean Christophe Favre

Të nderuar përfaqësues të odave ekonomike të Kosovës,

Të nderuar të pranishëm,

Të dashur qytetarë,

Punësim dhe drejtësi është titulli i zotimit dhe i programit tonë.

Qeveria jonë në vazhdimësi ka hartuar e përkrahur politika të cilët synojnë nxitjen e punësimit dhe qasje më të lehtë në tregun e punës dhe këtë ta bëjmë për të gjithë, pa dallim. Kjo ka të bëjë edhe me drejtësi – sepse nevojitet drejtësi në qasje e trajtim në shoqëri, përveç se në salla gjyqi e në reformën e sistemit të drejtësisë.

Vitin e kaluar, kemi zbatuar skema të cilët kanë pasur synim punësimin e grupeve të ndryshme shoqërore: gratë, personat me aftësi të kufizuara, e me familjet të cilat nuk kanë asnjë anëtar të punësuar.

Përmes masës 1.3 u punësuan afër 5000 gra e vajza. Përmes masës 1.6 u punësuan 239 persona me aftësi të kufizuara. Ndërkaq përmes skemës “Qeveria për Familjet”, 770 familje u bënë me një anëtar të punësuar.

Nga sot, po fillojmë pilotimin e Skemës së Punësimit të Garantuar për të Rinjtë. Nëpërmjet saj, Qeveria do të subvencionojë 264 Euro pra në lartësinë e pagës minimale që ka kaluar në lexim të parë në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe atë për për 6 muajt e parë të punësimit.

Lansimi i platformës “superpuna” angazhim i kamotshëm i ministrisë së Financave, Punës dhe Trasnfereve është njëkohësisht edhe dhe konkretizim i përkushtimit të Qeverisë në rritjen e punësimit të të rinjve dhe mbështetjen e punëdhënësve tanë si dhe e shënon përmbushjen edhe të një tjetër premtimi për qytetarët e Republikës.

Duke u ofruar të rinjve mundësinë për të fituar përvojë të vlefshme pune dhe për të zhvilluar aftësitë e tyre, ne po ndërtojmë një fuqi punëtore të aftë, e cila do ta rrisë ekonominë e vendit.

Ndërkohë, po vazhdojmë mbështetjen ndaj sektorit privat në angazhimin e fuqisë së re punëtore, e cila ka të gjithë potencialin që të bëhet motor i zhvillimit të këtij sektori.

Rininë e kemi aset të së tashmes. E kemi edhe potencial të së ardhmes. Kujdesi, vëmendja dhe investimi ynë në ta sot, është angazhimi, kontributi dhe investimi i tyre në vendin tonë nesër.

Më lejoni që të falënderoj të gjitha ata të cilët kanë kontribuar dhe ndihmuar në finalizimin e kësaj ndërmarrjeje, veçanërisht ambasadën e zvicerane në Kosovë.

Për detajet e skemës do të flasë ministri Murati, por fillimisht më lejoni që t’ia kaloj fjalën, z. Favre nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim.

Ju faleminderit.

Të ngjashme