Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), në mbledhjen e sotme, ka vendosur për kandidatët për kryetar në 11 komuna, por jo dhe për kryeqytetin.
Agim Veliu, i cili foli për gazetarët pas mbledhjes, tregoi se kanë vendosur që më 22 tetor në Mitrovicë të garojnë me Safet Kamberin; në Klinë me Besim Hotin; në Vushtrri me Xhafer Tahirin; në Obiliq kandidat do të jetë Mehmet Krasniqi; Shkelqim Jakupi në Kaçanik; Tahir Isufaj në Junik; Bekim Ermeni në Gjakovë; Hyrijete Isufi në Han të Elezit; Ibrahim Kryeziu në Rahovec; Mal Lokaj në Deçan dhe Sami Kafexholli në Malishevë.
“Për Prishtinën dhe Prizrenin vendosim nesër”, tha Veliu.
Zyrtarët e LDK-së nuk kanë komentuar “braktisjen” e koalicionit nga AKR-ja e Behgjet Pacollit, megjithëse ishte paralajmëruar se nga kjo mbledhje do të dilej me një qëndrim. Një ditë më parë, Kuvendi i Përgjithshëm i AKR-së, e autorizoi kreun e partisë që “të shikojë mundësitë për bashkëpunim edhe me partitë jashtë koalicionit të LAA-së”.
“Ne nuk patëm temë diskutimi çështjen e vendimeve të një subjekti tjetër politik. Këto janë vendime autonome të një subjekti tjetër politik që i merr nga organet e saj më të larta dhe këtu LDK-ja nuk ka çka të diskutojë vendimin e një subjekti politik”, tha nënkryetari Veliu, i vetmi i cili foli pas mbledhjes.
“Ne dëshirojmë që koalicioni ynë të vazhdojë sepse nëse në këtë mënyrë krijohen dhe prishen koalicionet”.
I pyetur nga gazetarët, Veliu tha se nuk e di çfarë stabiliteti do të ketë Kosova apo me çfarë stabiliteti do të krijohen institucionet e Kosovës.
Veliu ka thënë se nuk mund të llogaritet si tradhti largimi i AKR-së, pasi “në politikë këto janë çështje interesash të subjekteve politike”.
“Secili subjekt e bën vlerësimin për vete; i bën kalkulimet si i del gjatë një mandati, por sigurisht ndoshta i llogarisin edhe pasojat edhe më afatgjate”, deklaroi Veliu.
Ai ka thënë se pas lajmeve në medie nuk kanë biseduar fare me kreun e AKR-së.