Deputetja Mirjeta Kalludra në emër të LDK-së, në seancën e Kuvendit në përkujtim të 20-vjetorit të masakrës së kryer nga shteti serb në këtë burg ka thënë se masakra e Dubravës është simbol i zi i veprimeve çnjerëzore të Serbisë në Kosovë.
Ajo ka thënë se tani institucionet e drejtësisë duhet ta zbardhin këtë rast.
“Masakra e Dubravës mbetet një akt i rëndë, tipik për një aparat shtetëror kriminal. Në emër të LDK-së shprehim solidaritetin me familjet e të rënëve dhe kërkojmë që drejtësia të vihet në vend”, ka shtuar ajo.
Në emër të Nismës Socialdemokrate ka folur shefi i Grupit Parlamentar, Bilall Sherifi, duke thënë se një nga provat e gjenocidit serb është masakra e Dubravës.
“Ditë më parë kemi miratuar rezolutën për gjykimin e gjenocidit serb në Kosovë. Një nga provat e asaj rezolute është edhe masakra e Dubravës. Dëshmitarë të asaj masakre janë deputetë, janë njerëz që çojnë jetë të zakonshme dhe nuk i dimë, por rrethi i tyre i njeh. Këtu nuk ka vend për merita ne jemi vonuar si politikanë. Nuk është vonë sepse të jemi vonë është gjë tjetër prej asaj që ne jemi vonuar. Asnjëherë nuk bëhet vonë bile për të ndjekur krimin e gjenocidit tani është koha. Duhet t’i përsërisim vazhdimisht sepse nëse nuk i përsërisim tani harrohen”, tha ai, raporton EO.
Deputetja Duda Balje nga 6+ tha se drejtësia duhet të ndodh derisa përmendi një karakteristikë që sipas saj e veçon këtë masakër.
“Masakra e Dubravës e ka një karakteristikë të veçantë duke marrë parasysh se janë vrarë nga ata që janë mbyllur e që është dashur ti ruajnë. Drejtësia do të ndodhë dhe ua dëshiroj këtë drejtësi dhe mburrem me ju sepse ju jeni ata që e bartni atë që ka ndodhë”, tha ajo, raporton EO.