LDK-ja dhe Vetëvendosje takohen sot, flasin për koalicionin paszgjedhor

Prishtinë | 10 Tet 2019 | 11:11 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, partia e së cilit deri në rezultatet e tanishme zyrtare del të jetë fituese e zgjedhjeve të 6 tetorit bashkë me nënkryetarin e kësaj partie – pritet të takohet sot me kandidaten e LDK-së për kryeministre Vjosa Osmani dhe kryetarin e kësaj partie, Isa Mustafa.

Këtë takim e kanë konfirmuar edhe në Vetëvendosje edhe në LDK, por as në njërën e as në tjetrën parti nuk kanë treguar për orën se kur do të mbahet.

Takimin e sotëm e ka paralajmëruar dje Albin Kurti në një intervistë për Tv Klanin e Shqipërisë.

“Në parim nga LDK kanë pranuar që të kenë koalicion me ne dhe ne nesër do të kemi një takim ku marrim pjesë unë dhe nënkryetari i Vetëvendosjes nga ana tjetër do të jetë kryetari i LDK-së dhe kandidatja për kryeministre Vjosa Osmani. Jemi të dënuar të bashkëpunojmë, këtë që e ka dashur populli që na ka votuar”.

Por, në këtë intervistë ai ka deklaruar se posti i kryeministrit nuk mund të negociohet në diskutimet me LDK-në për koalicionin paszgjedhor.

‘Pro’ koalicionit LDK-VV është shprehur edhe kandidatja e LDK-së për kryeministre. Madje, ajo përmes një postimi në Facebook ka thënë se ky koalicion është e vetmja alternativë pas rezultateve të zgjedhjeve të 6 tetorit.

“Më në fund, qytetarët, jo vetëm që votuan, por, ajo votë ishte thirrje për ndryshim e ndëshkim ndaj qeverisjes së keqe. Qytetarët, po ashtu, përcaktuan qeverinë e re, e cila duhet të përbëhet nga opozita e deridjeshme. Për mua nuk ka asnjë alternativë tjetër. Koalicioni LDK-VV ka shumë sfida para vetes, por duhet ta ketë vetëm një interes: atë të qytetarëve të Kosovës”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme