Asamblistët e LDK-së dhe PDK-së nuk morën pjesë në votimin e rendit të ditës në mbledhjen e Kuvendit Komunal të Prishtinës dhe më pas lëshuan sallën me arsyetimin se pikat e propozuara nga LDK-ja lidhur me mosfunksionimin e Kuvendit komunal nuk u futën në rendin e ditës.
Megjithatë, kryesuesi i seancës, Agim Kuleta, tha se me 22 vota për u miratua rendi i ditës, raporton Ekonomia Online.
Në mungesë të kuorumit, kryesuesi Kuleta tha se mbledhja e sotme e Kuvendit Komunal shkon në pauzë deri në orën 13.
Ai tha se nga rendi i ditës janë hequr pikat 2 dhe 5, ndërsa në të është përfshirë propozimi i asamblistit të VV-së, Egzon Azemi, për formimin e komisionit për pronat, raporton EO.
Nga rendi i ditës është hequr pika e bartjes së buxhetit të pashpenzuar të të hyrave vetjake nga viti 2017 në vitin 2018, për shkak se këtë vit nuk ka rishikim të buxhetit. Ndërsa është tërhequr edhe pika për propozimrregullore për fillimin dhe mbarimin e orarit të punës së veprimtarive afariste në komunën e Prishtinës, për t’u trajtuar në një nga seancat e radhës.