LDK-ja kërkon Komision Hetimor për parregullsitë në MAShT dhe arsim

Prishtinë | 27 Qer 2019 | 12:14 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kuvendi i Kosovës po mban seancë të jashtëzakonshme lidhur me gjendjen në arsim dhe vendimet e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, raporton Ekonomia Online.

Deputeti Ismail Kurteshi, njëherësh kryesues i Komisionit të Arsimit dhe propozues i kësaj seance, ka drejtuar kritika të mëdha në drejt të Ministrisë së Arsimit për gjendjen e krijuar në këtë sektorë.

Ai në këtë seancë ka përmendur një nga një problemet me të cilat po përballet arsimi.

“Tekstet shkollore ose nuk janë të përshtatshme ose mungojnë sidomos në mësimin profesional. Para fillimit të vitit shkollor ende nuk dijet se me cilat tekste do nisë mësimi, me të rejat apo të vjetrat që kanë shumë vërejtje.  Sa i përket mësimit parashkollor, Kosova zë vendin e fundit në Evropë në përfshirjen e fëmijëve në mësimin parashkollorë. Gjendja e hapjes së shkollave në diasporë  është për të dëshiruar. Sa i përket riorganizimit të shkollave kemi shkolla me nga tri ndërrime, shkolla me një ndërrim dhe numër jashtëzakonisht të vogël të nxënësve. Ministria duhet t’i paraprijë organizimit të shkollave duke mos lënë anash angazhimin e mësimdhënësve dhe të mos pret nga komunat të cilat nuk kanë kapacitete”, tha ai.

“…Rreth 50 për qind të nxënësve në shkolla të mesme ndjekin shkolla profesionale. Mësimi praktik nuk është i organizuar mirë. Shumica e nxënësve mbesin të paaftësuar për punë.  Siguria në shkolla është problem jashtëzakonisht i madh dhe përdorimi i narkotikëve po bëhet problem i madh për shkollat tona’’.

Deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku, ka propozuar rezolutë që të ngritët një komision hetimor për të gjetur të gjitha parregullsitë në MASHT dhe në sektorin e arsimit.

“Pa zhvillim në arsim nuk ka as zhvillim në fusha tjera. Arsimi po vazhdon me cilësi jashtëzakonisht të dobët. Arsimi nuk përputhet me tregun e punës, shpesh mungojnë kuadro të profesionalizuara ndërsa kemi kuadro tepricë.  Kjo ministri ka dështuar edhe në programin nacional duke hequr nga puna njerëz që kanë qenë dhe duke sjellë militantë. Në arsim në shek XXI,  kemi problem me infrastrukturë për çerdhe ndërsa pushteti ka premtuar rritje të numrit të tyre. Në nivelin parauniversitar nuk zbatohet mësimi tetëditor. Ministria ka shpenzuar 150 mijë euro për 32 punonjës të saj që nuk shkojnë në punë”, tha ajo.

“…Ministria ka dështuar në zbatimin e kurrikulës së re, janë bërë ndërhyrje politike në këshillin e drejtuesve, rektorëve, ministria ka përgjegjësi për shpenzimin marramendës për koordinatorin nacional. Mungojnë laboratorë dhe kushte teknike. Ministria ka dështuar në rritjen e inspektorëve nëpër komuna. Ne si LDK do japim kontributin tonë duke dhënë një rezolutë këtu dhe kjo të gjejë zbatim e jo si rezolutat tjera. Propozojmë kom hetimor i cili duhet të hulumtoj të gjitha parregullsitë në MAShT dhe sektorin e arsimit. Ky komision të mbajë barrën kryesore. Kryetari i saj të jetë z. Kurteshi dhe ne të tjerët anëtarë që do të kontribuojmë”.

Deputetja e PDK-së,  Luljeta Veselaj Gutaj, tha se të gjeturat faktike në MAShT, si largimi i drejtorëve, pagesa për dy pozita, nuk japin optimizëm për përmirësim në arsim.

“A keni përkrahë ju si ministër dhe si institucion që instituti pedagogjik është nën ombrellën e ministrisë dhe deri ku ka shkua projekti në këtë fushë? Problem k qenë në vazhdimësi mbingarkesa e çantave të nxënëse.  Na është premtua që do të kemi mësim tërëditor por ende nuk kemi parë veprim konkret. Cilat janë hapat tuaj? Infrastruktura shkollore ende po mbet me mungesë të pajisjeve shkollore. Ka shumë mungese të pajisjeve dhe orendive dedaktive. Mungesa e stafit profesional si pedagogë, sociologë, po ndikon negativisht në procesin mësimor, prandaj është imediate përfshirja e tyre në shkolla”, tha ajo.

Deputeti i PSD-së, Driton Çaushi, ka thënë se gjendja në arsim nuk është aspak e mirë. Sipas tij, ka qenë shpikje e Qeverisë, një Koordinatori Nacional për Rini dhe Kulturë e që ka anashkaluar MAShT-in për organizimin e Garës së Diturisë.

“Mendoj që është përfundimisht koha që të fillojmë ta trajtojmë këtë çështje. Gjendja e rëndë që sot e konstatojnë të gjithë është produkt i një krize mbi 30 vjeçare, me krizën e viteve të 90-ta dhe këto 20 vjet. Kurrikula përballet me kritika serioze nga të gjitha anët. Rikujtoj për ata që nuk e kanë të qartë se flasim për një test (Gara e Diturisë) të pabazuar në asnjë hulumtim që mund të ketë pasoja negative dhe organizohet nga një institucion i shpikur që anashkalon institucionin e tij MASHT-in. Pra Koordinatori Nacional për Rini dhe Kulturë është një shpikje e qeverisë. Një hulumtim vendi është i domosdoshëm që të dilet nga kjo gjendje. Është momenti përfundimtar që të ketë angazhim mbarëshoqëror”, ka thënë ai, raporton EO.

Deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu, pari vërejte për Koordinatorin Nacional dhe testin që ai ka organizuar kohën e fundit.

“Arsimi është problem i joni si shoqëri. Kur e kemi thirr Koordinatorin Nacional në takim në komision ajo që më ka habitë kanë qenë fjalët miradije që i kanë bërë subjektet politike, komunat”, tha ajo, raporton EO.

Të ngjashme