Lidhja Demokratike e Kosovës me një video në Facebook ka renditur premtimet për prindërit. “Kjo është kontrata juaj me shteti”, ka shkruar kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, si përshkrim të videos me premtime, në rast se kjo parti bën qeverinë pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit.
Premtimi i parë në këtë aspekt është ndarja prej 2400 eurosh për fëmijën në vitin e parë. Premtim i dytë është vazhdimi i shtesave deri në pesë vjet dhe për 80 çerdhe të reja.
Për fëmijët nga 6 deri në 11 vjet, LDK-ja ka premtuar mësim tërëditor dhe shujta të ngrohta për secilin fëmijë.
Adoleshenca deri në 16 vjet, sipas LDK-së, do të përfshijë kodimin në shkolla.
Për të rinjtë nga 16 deri 21 vjeç, LDK-ja ka premtuar trajnimin e 40 mijë të rinjve për teknologji informative.
Në fund është punësimi. “Pas diplomimit askush s’duhet të presë”, thuhet në videon e LDK-së që ka premtuar punësimin e garantuar me pagë prej 500 eurosh për 6-12 muajt e parë të punës.
“Një shtet që investon herët te qytetari, nuk paguan më vonë çmimin e papunësisë dhe emigrimit”, ka thënë Abdixhiku në këtë video.