LDK nesër organizon tryezë për zgjedhje të parakohshme, PDK-ja nuk i përgjigjet

Prishtinë | 24 Pri 2018 | 15:14 | Nga

Partia Demokratike e Kosovës, ende nuk i është përgjigjur ftesës së LDK-së, për pjesëmarrje në tryezë, ku pritet të diskutohet për zgjedhjet e parakohshme. Deri më tani, pjesëmarrjen në tryezë e kanë konfirmuar shumica e partive politike, përfshirë edhe ato që janë në koalicion qeverisës.

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, i ka ftuar përfaqësuesit e 56 subjekteve politike, në një tryezë që do të mbahet nesër, ku temë e diskutimit do të jetë organizimi i zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë.

Burime brenda LDK-së i kanë thënë Radio Kosovës se sot pas orës 15:00, do ta publikojnë listën se kush nga partitë politike e ka konfirmuar pjesëmarrjen në tryezën e së mërkurës. Të njëjtat burime, bëjnë me dije se shumica e subjekteve politike, përfshirë edhe ato që janë në koalicion qeverisës, e kanë konfirmuar pjesëmarrjen me përjashtim të PDK-së.

Ndërkohë, nga PDK-ja askush nuk është prononcuar rreth ftesës së kreut të LDK-së, Isa Mustafa, i cili ftoi krerët e partive politike në një tryezë të përbashkët, vetëm pak orë pasi kreu i PDK-së, Kadri Veseli, doli me një platformë ku kërkonte konsensus të përgjithshëm politik për tejkalimin e temave të rëndësishme për vendin.

Megjithatë, platforma pesë pikëshe e Veselit, e quajtur Platforma konsensuale dhe gjithëpërfshirëse e agjendës shtetërore në Republikën e Kosovës, është kundërshtuar nga pjesa dërmuese e subjekteve politike.

Për LDK-në kjo platformë tregon pafuqinë për të kaluar temat e mëdha, për të cilat edhe u ndërtua ky koalicion.

Ndërsa, në reagimin e Vetëvendosjes thuhet se për dallim nga Veseli, kjo lëvizje nuk i jep prioritet dialogut me Serbinë dhe kërkesave të saj për Asociacion e komunave me shumicë serbe, duke e lënë ushtrinë e Kosovës si të tretën për nga renditja. Deri më tani platformën e kreut të PDK-së e ka mbështetur Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, që është në koalicion qeverisës që është në koalicion me partinë që e udhëheq Kadri Veseli, me arsyetimin se temat e propozuara janë të interesit nacional ku konsensusi është i domosdoshëm.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme