Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Paris Guri në një intervistë për Ekonomia Online, ka thënë qartë se nuk do ta votojnë formimin e Qeverisë dhe nuk do të ketë koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje. Ndër arsyet ai thotë të jetë keqqeverisja e Vetëvendosjes, në krye me Albin Kurtin.
“Jo ne nuk do ta votojmë, ashtu siç e dini edhe ju edhe qytetarët e Kosovës. Ne i kemi marrë disa ftesa për me hy në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje që nga fillimi, domethënë kur ka fillu hapat e parë për konstituimin e Kuvendit. Ne të gjitha ato i kemi refuzuar, për arsye që mendojmë që Lidhja Demokratike e Kosovës nuk është e gatshme të qeverisë me LVV, duke e pasur parasysh që qeverisja e tyre gjatë katër viteve të kaluara, ata kanë keqqeverisë me të gjitha dikasteret, në të gjitha ministritë. Kështu që kësaj radhe ne nuk do të bashkëqeverisim e as nuk do ta votojmë qeverinë e Lëvizjes Vetëvendosje,” tha Guri.
Në adresë të LDK-së të paktën deri më tani nuk ka shkuar ndonjë ftesë nga Vetëvendosje për bisedime, megjithatë Guri thotë se ftesa do të refuzohet, ngjashëm sikurse kishin vepruar me ftesat paraprake.
“Jo, ne nuk kemi pasur ftesa zyrtare. Ne i kemi pasur disa ftesa të cilat kanë qenë publike prej LVV-së në drejtim të LDK-së për një koalicion të mundshëm ndërmjet LDK-së dhe LVV-së, të cilat edhe ne publikisht i kemi refuzuar për arsye që mendojmë se nuk është i duhur një koalicion mes LVV-së dhe LDK-së. Duke e pasur parasysh që ne dallojmë jashtëzakonisht shumë, duke e pasur parasysh që për LDK-në njëri prej misioneve kryesore është mbajtja e raporteve me aleatët ndërkombëtarë, ndërsa këta gjatë katër viteve i kanë dëmtu shumë interesat tona në raport me miqtë tanë dhe Kosova është nën sanksione. Ne nuk do të kontribuojmë në vazhdimin e një qeverisje prej LVV-së. Ato ftesat që i kemi marrë publike, që kanë qenë dy ose tri prej tyre, i kemi refuzu publikisht,” deklaroi deputeti i LDK-së.
Referuar ftesave të kaluara, Guri thotë se LDK asnjëherë nuk deshi t’ia di për ofertën.
“Ne nuk kemi qenë të interesuar për me ditë ofertën e tyre. Për atë arsye nuk kemi shku në asnjë takim që na kanë ftu për me diskutu rreth ofertës, për arsye që kjo nuk është çështje oferte ose interesi, është punë për të mirën e Kosovës. Për atë arsye ne e kemi refuzu atë ftesë,” tha Guri.

Këtë qëndrim të LDK-së, deputeti Guri e mbështet në dallimet që sipas tij kanë me Vetëvendosjen.
“Fillimisht, e para barriera është paaftësia e LVV-së për me qeverisë me vendin. Kosova gjatë katër viteve të fundit ka dështu në ekonomi, ka dështu në marrëdhënie ndërkombëtare, ka dështu në bujqësi, në kulturë, në rini, ka dështu në çdo dikaster me të cilin e kanë qeverisë. Në të gjitha dikasteret ka afera të mëdha korruptive e në të gjitha dikasteret ka dështime të mëdha dhe asnjë progres i Kosovës sa i përket zhvillimit ekonomik, urbanizimit e të tjera. Kjo është arsyeja e parë dhe barriera e parë që i pengon LDK-së me pas një koalicion me LVV-në. E dyta, LDK ka punuar fuqishëm me polarizimin në Kosovë, gjuhën e urrejtjes, fyerjet e sharjet. Ne e dimë diskursin që e ka përdorë Lëvizja Vetëvendosje ndaj LDK-së, edhe gjatë katër viteve që kanë qeverisë, edhe gjatë fushatës e edhe pas fushatës. Kështu që LDK nuk bashkëpunon me LVV-në”, theksoi ai.
Guri thotë se Kurti e ka mundësinë shpalos të vërtetën e numrave për Qeverinë e re.
“Lëvizja Vetëvendosje prej datës 15 prill, kur është thirr seanca e parë me qëllim konstituimin e kuvendit, çdo 48 orë, si një vjershë e përsëritur, ka thënë që i kemi numrat për qeveri, nuk i kemi numrat për kuvend. Kur LDK është siguru që është gjithçka në rregull me kushtetueshmërinë e vendit, ne i kemi mundësu që ai me konstitu Kuvendin dhe i ka pas numrat për Kuvend që ka thënë nuk i kam. Tash është koha e tij me dëshmu neve edhe qytetarëve tanë se a ka gënjyer çdo 48 orë kur ka thënë se i kam numrat për qeveri. Kështu që i kanë mbet edhe 10 ditë kohë për me dëshmu që ka qenë e vërtetë që çdo 48 orë ka thënë ‘i kemi numrat’, ‘nuk i kemi numrat për kuvend’. Kuvendi është konstitu, vazhdojeni, bëjeni qeverinë,” u shpreh ai.
Deputeti i LDK-së, si partia e tretë e dalë nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit vlerëson se zgjedhjet janë të pashmangshme.
“Unë mendoj që zgjedhjet janë gati se të pashmangshme, për arsye që nuk po shoh ndonjë vullnet të LVV për ta krijuar qeverinë. Edhe ashtu si e ceka, të gjitha ato fjalët kanë qenë për ushqim të elektoratit të tij e jo për diçka konkrete, kur ka thënë se i kanë numrat”, deklaroi deputeti Guri për Ekonomia Online.
Më 11 tetor Presidentja Vjosa Osmani mbështetje të kompetencave të saj kushtetuese, ka nënshkruar dekretin, me të cilin ka mandatuar Albin Kurti për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës.
“Ky vendim është marrë pas propozimit zyrtar të partisë Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka fituar numrin më të madh të ulëseve në Kuvend nga rezultatet e zgjedhjeve të mbajtura me 9 shkurt të këtij viti. Sipas Kushtetutës, mandatari për formimin e Qeverisë, z. Kurti, është i obliguar që jo më vonë se pesëmbëdhjetë (15) ditë nga dita e dekretimit, t’i paraqesë Kuvendit të Republikës së Kosovës përbërjen dhe programin e Qeverisë për miratim. Presidentja i ka uruar suksese z.Kurti, kryeministër në detyrë, me shpresën që Republika e Kosovës sa më parë të ketë Qeveri me mandat të plotë kushtetues”, ishte thënë në njoftimin e presidencës.