LDK e dëshmon edhe me tabela në Exel: Telekomi ka lidhur 28 kontrata me negocim direkt për më pak se tri vjet, vlera 21,310,000 EUR

Prishtinë | 20 Mar 2024 | 16:25 | Nga Ekonomia Online

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) thotë se ditëve të fundit ka ngritur me shqetësim fenomenin e kontratave direkte të Qeverisë së Kosovës. Vetëm në këtë mandat u zbuluan 781 kontrata njëburimore të nivelit qendror në vlerë prej 209 milionë euro.

“Për këtë fenomen shqetësues, LDK kërkoi përballje në Kuvend, të cilës pushteti i iku. Tani, duket se Qeveria po shfrytëzon mekanizma tjerë propagandues përmes ndërmarrjeve publike që kontrollohen nga eksponentë të Lëvizjes Vetëvendosje”, thuhet në komunikatën e kësaj partie.

“Kjo u dëshmua dhe me reagimin e fundit të Telekomit të Kosovës. Ky reagim, në tentativë që të demantojë informacionin zyrtar të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, në vend se të sqaroj të gjitha rrethanat e 21 milion eurove të kontraktuara direkt, zgjodhi të merret me nënkryetaren e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami”.

“Nënkryetarja Bajrami ka deklaruar në Kuvend se sipas Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, në mesin e 781 kontratave me negocim direkt, në Telekomin e Kosovës figurojnë 28 kontrata të tilla në vlerë prej 21,310,000 EUR nga marsi i vitit 2021 deri në janar të vitit 2024. Vërtetësinë e këtij fakti mund ta konfirmoni lehtësisht në listën e KRPP, të cilën e gjeni në vegëzën më poshtë“.

LDK thekson se Qeveria e Kosovës dhe menaxhmenti i Telekomit obligohen të japin llogari për këto kontrata dhe të sqarojnë nëse janë ndjekur procedurat ligjore të prokurimit publik për secilën. “Rritja e numrit të kontratave direkte gjatë këtij mandati është shqetësuese për shkak të mundësive të keqpërdorimit të parasë publike”.

Prandaj, Lidhja Demokratike e Kosovës ka kërkuar themelimin e komisionit hetimor parlamentar për të gjitha kontratat direkte të kësaj qeverie. Ne do t’i shfrytëzojmë të gjitha mekanizmat institucional ligjor e kushtetues deri në zbardhjen e të gjitha rasteve ku ka dyshime për keqpërdorim.

Njëkohësisht, LDK kërkon nga pushteti që të mos i shfrytëzojë ndërmarrjet publike si mjete për propaganda partiake, por të përballet në Kuvend.

Të ngjashme