Kryeministri Albin Kurti s’po ka guxim ta çojë në Qeveri vendimin për heqjen graduale të taksës pasi LDK po i kërkon heqjen e tërësishme të saj siç po kërkojnë amerikanët.
Albin Kurti ka dështuar ta shndërrojë në vendim zotimin e tij publik se do ta heqë taksën fillimisht pjesërisht dhe prej 1 prillit krejtësisht.
Kjo për shkak LDK’ja ka refuzuar të votojë propozimin e Kurtit për heqjen e pjesshme të taksës. Partia e Isa Mustafës po i kërkon heqjen e taksës qysh po kërkojnë amerikanët prej ditës së parë kur kanë filluar punën në Qeveri.
Për këtë arsye, Kurti ende s’e ka nxjerr për votim propozimin e tij për heqjen graduale të taksës.
Burime të Express kanë konfirmuar se LDK s’pranon asnjë vendim tjetër përpos heqjes së tërësishme të taksës.
“Kryeministri s’është konsultuar me LDK’në kur e ka marrë qëndrimin publik. LDK s’pranon të votojë asnjë propozim që s’është në të njëjtën linjë me amerikanët”, ka thënë një zyrtar i lartë i LDK’së.
Isa Mustafa në intervistën e fundit e pranoi se kanë dallime me Vetëvendosjen në qeverisjen e brendshme ndërsa ka thënë se janë krejtësisht të koordinuar në politikën e jashtme.
Në programin e miratuar në Qeveri, VV e LDK parashohin se do të angazhohen për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë përmes dialogut dhe në frymën e parimit të reciprocitetit, e se dialogu do të zhvillohet për çështjet e raporteve dypalëshe dhe të fqinjësisë së mirë, përfshirë këtu edhe çështjen e të pagjeturve, reparacioneve të luftës e okupimit, etj.
Richard Grenell, i Deleguar Special i Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, është përfshirë në një debat gati të për çdoditshëm me Kryeministrin Albin Kurtin për heqjen e taksës. Grenell po kërcënon me masa ekonomike ndaj Kosovës nëse udhëheqësit kosovarë vazhdojnë të mos përfillin kërkesat amerikane.
Albin Kurti ka premtuar se nga 1 prilli do ta largojë taksën 100 për qind kurse nga 15 marsi vetëm për lëndën e parë.
Në një editorial për një gazetë gjermane, Kurti tha se çdo marrëveshje që arrihet me presion s’do të ketë ndonjë vlerë.
Kosova dhe Serbia kanë hyrë në një dialog të ri prej vitit 2011, pasi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë tha se shpallja e shtetit kosovar s’ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. Janë zhvilluar disa raunde bisedimesh në Bruksel mirëpo s’ka pasur një marrëveshje finale.
Tash, edhe SHBA, por edhe BE kanë kërkuar një Marrëveshje Finale që do të normalizonte raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë