Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka akuzuar presidentin, Hashim Thaçi, se po përfshihet në fushatë.
Siç thuhet në komunikatën e LDK-së Thaçi është fotografuar në Prizren në shoqëri të Njazi Kryeziut, zyrtarit të shkarkuar të komunës së Prizrenit, pas publikimit të “Dosjes Pronto” dhe një serie skandalesh të udhëheqjes së Komunës së Prizrenit prej PDK-së, “por të shpërblyer prej pasuesit të Hashim Thaçit në krye të PDK-së, Kadri Veselit, me një pozitë këshilltari në kabinetin e tij të stërmadh si ish-kryetar i Kuvendit të Kosovës”.
Njazi Kryziu, për më tepër, është një prej drejtuesve të PDK-së në Prizren.
“Prandaj, LDK, të cilës të martën i ka mbërritur kjo fotografi nga një qytetar i Prizrenit, të kulturës dhe traditës, shpreh shqetësimin se Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në kundërshtim me mandatin e tij kushtetues, po vazhdon të përfshihet në fushatën parazgjedhore në Kosovë, në përpjekje për t’u dalë në ndihmë bashkëpartiakëve të tij të PDK-së”, thuhet në komunikatë.
LDK konsideron se nuk ka asnjë shpjegim objektiv që e arsyeton praninë e një Presidenti të shtetit nëpër aktivitete jozyrtare, në kohë fushate dhe me eksponentë të njohur të një subjekti politik.
“Kabineti i Presidentit të Kosovës, për të martën, kur është zhvilluar ‘vizita’ e Hashim Thaçit në Prizren, nuk ka njoftuar për asnjë aktivitet zyrtar të tij. Siç duket, vërejtja publike që iu bë atij nga LDK dhe shoqëria civile e mediat, për denoncim në Gjykatën Kushtetuese, ka bërë që Thaçi të mos e vazhdojë fushatën e tij në mbështetje të PDK-së nëpër shkolla”.
“Por, ai tashmë, fshehtas, siç dinë të punojë ai dhe bashkëpartiakët e tij, po mundohet ta shpëtojë PDK-në dhe satelitët e saj nga humbja e zgjedhjeve”.
LDK kërkon nga vëzhguesit ndërkombëtarë të zgjedhjeve dhe përfaqësuesit e korit diplomatik në Kosovë që të ushtrojnë ndikimin e tyre, për të penguar Thaçin që të keqpërdor institucionin e Presidentit për interesa të ngushta politike, në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.
“LDK dhe partnerët e saj të koalicionit, të mbështetur nga qytetarët e Kosovës, më 11 qershor do ta qesin në opozitë Koalicionin e Mesnatës. Kurse Thaçit do t’i duhet të japë përgjegjësi për ndërhyrjet e tij të shumta në punë që nuk i takojnë një Presidenti të shtetit”, thuhet në reagim.