Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, me anë të një njoftimi në rrjetin social “Facebook”, ka bërë me dije se ka nënshkruar marrëveshjen me Ndërmarrjen Publike “Infrakos”, marrëveshje kjo që i jep fund kontestit gjyqësor mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe “Infarkos”-it dhe lejon zhbllokimin e punimeve në segmentin rrugor M9, në hyrje të qytetit të Pejës.
“Sot u përmbyll një çështje me rëndësi shumë të madhe për zhvillimin e infrastrukturës rrugore të rajonit të Pejës.
Pas disa vite stërzgjatje dhe ballafaqime gjyqësore në mes të dy institucioneve publike, Ndërmarrjes Publike “Infrakos” sh.a dhe Ministrisë së Infrastrukturës, u arrit marrëveshja për zgjidhjen e kontestit gjyqësor dhe për zhbllokimin e vazhdimit të punimeve në segmentin rrugor M9, në hyrje të Pejës.
Me këtë marrëveshje ne treguam se institucionet publike duhet të gjejnë gjuhë të përbashkët për mbrojtjen e interesave në kuadër të kompetencave të tyre ligjore, por edhe promovimin e interesit të përgjithshëm për zhvillimin e vendit.
Tanimë nuk ka pengesa për vazhdimin e punimeve në segmentin rrugor M9 dhe zgjerimit të rrugës në hyrje të Pejës” ka shkruar Lekaj në “Facebook”.