Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj, përmes një komunikate për media i ka reaguar Kryeministrit, i cili sot tha se opozita po e bllokon liberalizimin e vizave.
Lekaj i ka thënë se deklarata e tij duke i quajtur ekspertët e demarkacionit të sëmurë tregon se të njëjtën gjë e ka bërë edhe në Universitetin e Prishtinës, kur profesorët dhe studentët nuk pajtoheshin me të.
Sipas Lekajt, Isa Mustafa është Kryeministri më i paaftë që e ka pasur ndonjëherë Kosova dhe sipas tij ai dhe “kasta e tij” angazhohet që të ketë sukses në biznesin privat e jo për Kosovën.
Reagimi i plotë:
Profesionistë e ekspert nga të gjitha lëmit janë kundër kësaj që ju po insistoni ta shtyni përpara, prandaj t’i i quan të “sëmurë”, vetëm pse janë në mbrojtje të tokës së Kosovës…ndërsa historia jote tregon se edhe në një kohë ngjashëm i ke quajtur, profesorët dhe studentët e Universitetit të Prishtinës që nuk pajtonin me juve.
As sot sikur atëherë nuk po arrijnë të shënosh “autogolin” e qëllimshëm për Kosovën, për të falë tokë e për ta rikthyer Serbinë në Kosovë, motoja që më së shumti t’përshtatet si “tregtarë” që jeni bërë me fatin e Kosovës, do të ishte “ne jemi padrejtësia – ne jemi tradhtia”. Se që je diçka tjetër për veç i padrejtë është e pamundur.
Jeni strukur si strucë pas ndërkombëtarëve dhe të interesuar që të qëndroni me çdo kusht e çmim në pushtet, ju nuk e dëshironi konsensusin parlamentar, për t’i thënë jo, marrëveshjes së dëmshme të demarkacionit.
Duke mos i dhënë zgjidhjen (përgjigjen) e duhur kësaj teme dëshironi që ta lëni si alibi për ngërç, e kështu për t’i turbulluar mendjet e qytetarëve të Kosovës, për rrënimin dhe mos zhvillimin ekonomik të Kosovës, për mirëqenien e punësimin e njerëzve që kanë aq shumë nevojë për të.
Kryeministri më i paaftë që ka patur ndonjëherë Kosova bashkë me kastën e tij janë të interesuar vetëm për suksesin e bizneseve të tyre e jo për suksesin e Kosovës.