Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit (MIT), Pal Lekaj, ka marr pjesë në fillimin e punimeve në rrugët Zhur-Dragash-Brod dhe Tyrbe e Pllavës-Zaplluxhe, raporton Ekonomia Online.
Ministri Pal Lekaj ka thënë se ky projekt do të ndikojë në zhvillimin ekonomik, zhvillimin e turizmit dhe në lidhje të korridoreve.
Lekaj tha se ky projekt është paraparë që të përfundoj brenda 365 ditëve.
“Sot jemi këtu në këtë segment që ka një simbolikë, ajo simbolikë është simbolika e lëvizjes së lirë të zhvillimit ekonomik dhe një mirëqenie më e mirë për qytetarët e kësaj ane. Unë si ministër me përkrahje të kryeministrit të Kosovës anë e kënd Kosovës po ndërtojmë infrastrukturën që ka ndikim në zhvillim ekonomik, në zhvillimin e turizmit dhe lidhje të korridoreve. Ka qenë bashkëpunim i mirë me kryetarin dhe ka treguar gatishmëri për të filluar punimet. Projekti do të kryhet në afatin për 365 ditë ajo që mund të them ne do të jemi mbikëqyrës të këtij projekti, të inplemetohet me kohë dhe qytetarët të përfitojnë nga ky projekt”, ka thënë Lekaj.
Kryetari i komunës së Dragashit, Shaban Shabani, ka thënë se me këtë projekt do të lehtësohet jeta e qytetarëve të komunës së Dragashit.
Ai tha se rruga do të ndihmon në zhvillimin ekonomikë.
“Sot është një ditë e madhe për komunën e Dragashit sepse po jetësohet një projekt që ndoshta na është dashur të presim mbi 60 vjet. Ne po e lehtësojmë jetën e qytetarëve me këtë projekt, ne presim që të ndihmojë edhe në zhvillim ekonomik ku do të krijoj lehtësira në qarkullimin e njerëzve këtu. Ne mbesim me shpresë se do të realizohet ky projekt brenda afatit të caktuar dhe shpresojmë në përfundim të punimeve të jemi bashkërisht kështu”, tha Shabani, raporton EO.
Rruga Tyrbe e Pllavës-Zaplluxhe ka gjatësinë 12.175 km dhe gjerësi 6.5 m.
Rruga Dragash-Brod ka gjatësinë 11.622km dhe gjerësi 5.0m.
Vlera e këtij projekti është 7.037.101.57 euro dhe do punohet nga KAG- Asphalt Company.