Lekaj: Qeveria e Kosovës nuk e ka menaxhuar mirë situatën në veri

Prishtinë | 05 Nën 2022 | 14:52 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, ka thënë se largimi i serbëve nga institucionet e Kosovës tregon se ata nuk janë të interesuar për stabilitet.

Në një prononcim për gazetën Nacionale, Lekaj ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk e ka menaxhuar si duhet situatën në veri të vendit.

“Kjo është një dëshmi se ata nuk janë të interesuar që të këtë stabilitet në Kosovë. Kjo është edhe një argument që jemi larg, shumë larg marrëveshjes. Qeveria e Kosovës është dashur që ta menaxhoj shumë më mirë situatën në veri, në mënyrë që të mos vije ky moment dhe të kthehemi mbrapa për 20 vite. Sepse me mund janë kthyer në institucione të Kosovës dhe i kanë pranuar institucionet lokale dhe qendrore”, ka thënë Lekaj.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës ka injoruar vazhdimisht kërcënimet e serbëve.

“Qeveria e Kosovës nuk e ka menaxhuar mirë situatën dhe nuk e ka marrë seriozisht edhe kërcënimin e tyre qe e kanë bërë në vazhdimisht. Por, faji i mbetet Vuqiçit, sepse këta kanë qenë në Beograd dhe kanë marr sugjerime. Kjo ka ndodhur pas takimit që kanë pasur me Vuqiçin”, ka thënë Lekaj.

Lista Serbe ka mbajtur një mbledhje sot në orët e para të ditës së shtune, e ku u diskutua në lidhje me gjendjen aktuale në veri. Aty morën pjesë të gjithë liderët e Listës Serbe, por u panë edhe zyrtarë policor të Kosovës nga veriu i vendit.

E një vendim i rëndësishëm, por i pritur, ka ardhur nga ky takim: Lista Serbe ka vendosur të largohet nga të gjitha institucionet e Kosovës.

“Ne kemi vendosur të largohemi nga të gjitha institucionet politike, Kuvendi, Qeveria, dhe nga katër komunat në veri të Kosovës, por edhe që të largohen serbët nga gjyqësori, policia si dhe stafi administrativ në katër komunat në veri”, theksoi kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq pas takimit.

Ky takim i thirrur nga Lista Serbi vjen pas vendimit të institucioneve të Kosovës për të suspenduar Nenad Gjuriqin, drejtorin e Policisë për rajonin e veriut, pasi i njëjti refuzoi të zbatojë vendimin e Qeverisë Kurti për targat.

Rakiq, kryetar i Listës Serbe, tregoi se ka dhënë dorëheqje nga posti i ministrit të Ministrisë për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti.

Veprimi i Qeverisë së Kosovës për të vazhduar me zbatimin e vendimit për targat në disa faza, i ka zhgënjyer Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian.

Ata kanë thënë se Kosova ka të drejtë për zbatimin e ligjshmërisë në tërë territorin e Kosovës, por se kjo duhet të bëhet në koordinim me ndërkombëtarët.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për moslejimin e qarkullimit të automjeteve me targa ilegale në Kosovë, i shkallëzuar në katër pjesë, i cili ka filluar të zbatohet më 1 nëntor, ka sjellë telashe në terren, policët serbë që kanë refuzuar zbatimin e saj.

Të ngjashme