Kryetari i Grupit Parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj, përmes një postimi në Facebook, ka komentuar zhvillimet (idetë) e fundit të trumbetuara nga eksponentë të qeverisë, presidencës dhe të tjerëve për sa i përket, Ushtrisë, Demarkacionit e Asociacionit dhe zgjedhjeve të parakohshme.
Lekaj thotë se Paralajmërimet se transformimi i FSK-së në Ushtrinë e Kosovës mund të futet në pako me Demarkacionin dhe Asociacionin janë të papranueshme, por edhe të jashtëligjshme.
Postimi i plotë i Lekajt:
“Zgjedhjet e vetmja zgjidhje.
Jemi kundër që Ushtria, Demarkacioni dhe Asociacioni të kalohen në pako.
Paralajmërimet se transformimi i FSK’së në Ushtrinë e Kosovës mund të futet në pako me Demarkacionin dhe Asociacionin janë të papranueshme, por edhe të jashtëligjshme.
Qeveria e Kosovës nuk ka mandat që për çështjen e Ushtrisë të bëjë koncesione me Listën Serbe.
Futja e tyre në një pako apo ujdia me Listën Serbe për t’i kaluar këto tri tema për AAK-në janë të papranueshme.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ka qëndrimin e saj për këto tri tema.
Ushtria duhet të bëhet sa me shpejt qe është e mundur dhe për këtë Grupi Parlamentar i Aleancës e ka dhënë mbështetjen e kontributin e saj nëpërmjet deputetit Daut Haradinaj si kryetar i Komisionit për Punë të Brendshme.
Marrëveshja për demarkacionin duhet të kthehet në pikën zero dhe t’i hapet rrugë negocimit të një marrëveshje të re nga një komision i papolitizuar me ekspertet më të mirë të vendit.
Për Asociacionin e ka thënë fjalën e vet Gjykata Kushtetuese.
Kjo Qeveri, e cila në Kuvend ka mbi 80 deputetë është treguar e pafuqishme për të çuar proceset e mëdha përpara, sepse këtyre më së shumti ju ka interesuar rehatimi i familjarëve dhe pasurimi i fëmijëve të tyre.
Vendi, dita ditës po rrëshqet në krizë dhe qytetarët po ballafaqohen me probleme të mëdha.
Zgjedhjet e parakohshme janë zgjidhja e vetme për tejkalimin e kësaj situate. Qytetarët janë sovrani dhe ata do të vendosin në pajtim me vullnetin e tyre.
Edhe pse ish kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj po përballet më një padrejtësi të madhe, ai ka kërkuar qe edhe në mungesë të tij vendi të shkojë në zgjedhje. Më këtë ai edhe njëherë po dëshmon se interesin shtetëror e vendos para atij personal”, (sic.), ka shkruar Lekaj.