Lëvizja Mjedisore “Let’s Do It Kosova” iu është rikthyer aktiviteteve në kuadër të Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën” me qëllim të largimit të mbeturinave nga lokacione të ndryshme dhe vetëdijesimin e qytetarëve për rëndësinë e mjedisit të pastër.
“Sot, rreth 60 vullnetarë të “Let’s Do It Kosova” në bashkëpunim me banorët e Komunitetit Rom, kanë realizuar një aksion pastrimi në Lagjen e Romëve në Komunën e Mitrovicës, nga ku janë larguar 25 kamionë me mbetje familjare dhe rreth 200 thasë me mbeturina plastike.
Në organizimin e këtij aksion ka ndihmuar edhe deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kujtim Paçaku, i cili ka mobilizuar komunitetin rom për organizimin e këtij aksioni”, thuhet në njoftimin për media.
Aksioni i sotëm është mbështetur edhe nga zyra e misionit të OSBE-së në Kosovë dhe Komuna e Mitrovicës, ndërsa thasët me mbeturina janë larguar nga ndërmarrja “Uniteti”, e cila ka ofruar makinerinë e saj për realizimin e aksionit të sotëm. Pjesëmarrës në këtë aksion ishte edhe zëvendësministri për Komunitete dhe Kthim, Jollxhi Shala.
Më tej në njoftim është thënë se lëvizja “Let’s Do It Kosova” do të vazhdojë me organizimin e aksioneve të pastrimit dhe aktiviteteve të ndryshme që kanë për qëllim ndërgjegjësimin e qytetarëve për ruajtjen e mjedisit. Por, që këto aktivitete të jenë më të suksesshme, kemi nevojë për ndihmën e secilit prej juve. Ju bëjmë thirrje qytetarëve, që të ndërgjegjësohen për obligimet e tyre karshi mjedisit dhe të mos e ndotin atë me hedhjen e mbeturinave vend e pavend.
Lokacioni tek “Lagjja e Romëve” në Mitrovicë, sot është pastruar për të katërtën herë radhazi, si pasojë e mos-mirëmbajtjes, andaj është e rëndësishme që secili prej jush ta ketë prioritet ambientin përreth ku jeton.
Lëvizja Mjedisore “Let’s Do It Kosova” njofton të gjithë se këtë vit në kuadër të Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën”, rëndësi e veçantë do t’iu kushtohet lokaliteteve me komunitete të përziera. Në të gjitha lagjet rome, do të realizohen aksione me moton “DEPUTETI ME NE”, meqë në të gjitha këto aksione do të marrë pjesë edhe deputeti Kujtim Paçaku.
Lëvizja Mjedisore “Let’s Do It Kosova” do të vazhdojë aksionet në kuadër të Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën”, ku aksioni i radhës do të realizohet në kampin në fshatin Plemetin.