Lëvizja mjedisore “Let’s Do It Kosova” u është rikthyer aksioneve për eliminimin e deponive ilegale të mbeturinave dhe vetëdijesimin e qytetarëve për rëndësinë e një ambienti të pastër, në kuadër të fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën”.
Komuna e Mitrovicës, Vushtrrisë, Skenderajt dhe Istogut do të jenë lokacionet në të cilat do të vazhdojnë aksionet e kësaj jave.
Aksionet do të fillojnë nesër (e martë, 25 tetor), me ç’rast në Komunën e Mitrovicës do të pastrohen dy lokacione.
Fillimisht, do të pastrohet deponia në hyrje të Mitrovicës (afër varrezave të komunitetit serbë), duke filluar nga ora 10:00, për të vazhduar më pastaj, me deponinë tek lokacioni i ashtuquajtur “Parku i Solanes”, aksion i cili do të fillojë në orën 12:00.
Aksioni i radhës do të organizohet menjëherë ditën e nesërme (e mërkurë, 26 tetor 2016) në Komunën e Vushtrrisë.
Ndërsa, aksione do të ketë edhe të enjten (27 tetor) në Skenderaj, për të vazhduar pastaj edhe të premten, më 28 tetor në Komunën e Istogut, ku do të pastrohen dy deponi ilegale të mbeturinave.
“Por, këto nuk do të jenë aksionet e vetme, pasi “Let’s Do It Kosova” gjatë javëve në vazhdim do të organizojë aksione pastrimi, të cilat kanë për qëllim ngritjen e vetëdijes për përgjegjësitë që kanë si qytetarët, ashtu edhe institucionet, në ruajtjen e ambientit. Të gjithë këto aksione do të organizohen në bashkëpunim me ndërmarrjet e pastrimit “Uniteti” dhe “Ambienti”, ndërsa presim konfirmime për ndihmë, edhe nga ndërmarrjet e tjera private, të cilat posedojnë makineri”, thuhet në njoftimin për media të kësaj lëvizjeje.
Lëvizja mjedisore “Let’s Do It Kosova”, u bën thirrje qytetarëve për mobilizim në aksione të pastrimit, në mënyrë që të gjithë së bashku të kontribuojmë në mbrojtjen e ambientit.