Lidhja e Bizneseve të Kosovës organizon takim B2B mes bizneseve kosovare dhe turke

Prishtinë | 29 Sht 2026 | 17:00 | Nga Artiona Çitaku

Lidhja e Bizneseve të Kosovës ka organizuar një takim B2B mes bizneseve nga Kosova dhe Turqia, me qëllim të prezantimit të mundësive për bashkëpunim ekonomik dhe zgjerimit të tregtisë ndërmjet dy vendeve, raporton Ekonomia Online.

Kryetari i Lidhjes së Bizneseve të Kosovës, Besart Dreshaj, tha se takimi u ofron bizneseve mundësi për të prezantuar aktivitetet e tyre, sukseset dhe potencialin për bashkëpunim.

“Sot Lidhja e Bizneseve të Kosovës e kishte kënaqësinë që së bashku me delegacionin nga Turqia të organizojmë një takim me bizneset B2B, me bizneset e Turqisë dhe bizneset e Kosovës, ku do të ketë mundësi për të prezantuar punët, sukseset dhe mundësitë e bashkëpunimit mes dy shteteve, ndaj Kosovës dhe Turqisë”, tha Dreshaj.

Ai theksoi se në takim morën pjesë biznese kosovare nga sektorë të ndryshëm, përfshirë tekstilin, energjinë, ndërtimin, infrastrukturën dhe bujqësinë.

“Ne sot ishim prezentë me një numër të madh të bizneseve shqiptare të Kosovës, të cilat ishin në fusha të ndryshme, duke filluar nga ana e tekstilit, të energjisë, në anën e fushës së ndërtimit, infrastrukturës, të bujqësisë dhe fusha të tjera të cilat ishin me kërkesë të delegacionit të Turqisë, që sot do të jetë dhe do të zgjasë ky forum i cili do t’i japë jashtëzakonisht një mundësi për t’i shkëmbyer mundësitë mes Kosovës dhe Turqisë në aspektin e zgjerimit të tregut mes produkteve të Kosovës dhe Turqisë”, u shpreh Dreshaj.

Ndërkaq, kryesuesi i bizneseve nga Turqia në Kosovë, Rifat Sait, theksoi rëndësinë strategjike të Kosovës dhe nevojën për thellimin e bashkëpunimit ekonomik.

“Shumë i qetë jam me ju këtu. Kosova është shumë strategjike, më falni, edhe një herë po flas, Kosova është shumë strategjike një vend është, zemra e Ballkanit është. Krejt aty shqiptarët: Shqipëria, Mali i Zi, Presheva, Maqedonia, krejt shqiptarët qendra e Kosovës është”, tha Sait.

Ai u bëri thirrje bizneseve që të punojnë më shumë për zhvillimin e marrëdhënieve tregtare ndërmjet Kosovës dhe Turqisë, duke theksuar se bashkëpunimi duhet të shoqërohet me veprime konkrete.

“Për këtë Amerika këtu po bën stilin ushtarak, për këtë Gjermania këtu po vjen te minat aty, te gjykatat, po, për këtë Kina po vjen këtu, krejt sytë e botës këtu janë. Po ne më shumë me punuar. Ne jemi shqiptarë, unë Turqi u linda, po gjyshi e babgjyshi im këtu janë, të Kosovës, për këtë zemra për këtu, këtu po rreh. Më shumë me punuar, me bë tregëti, më fort me bë edhe më mirë me bë me Kosovën tregëti, jo veç me folë e fotografi me qitë ose me u luajtur”, deklaroi Sait.

Të ngjashme