Si të kujdesemi për veshët

Prishtinë | 13 Sht 2023 | 00:20 | Nga Ekonomia Online

Veshi shpesh ndodh që të dëmtohet edhe nga pakujdesia jonë gjatë pastrimit të tij. Por si duhet ta bëjmë pastrimin e veshëve? Kufjet, kunjat, sa i dëmtojnë veshët? Dëmtimi i daulles, çfarë problemi sjell? Këto dhe shumë pyetje të tjera gjejnë përgjigje në artikullin e mëposhtëm.

Nga se shkaktohet dylli tek veshët?

Dylli te veshët prodhohet nga gjendrat sekretive të kanalit të jashtëm të veshit. Dylli i veshit prodhohet në sasi të ndryshme. Ka raste që kanali i jashtëm i veshit prodhohet në një sasi të madhe, por kjo nuk

përbën sëmundje. Dylli është shumë i dobishëm për higjenën e veshit, pasi nuk lejon hyrjen e agjentëve dhe trupave të huaj në vesh. Në këtë rast dylli shërben si masë mbrojtëse për veshët. Te disa persona prodhohet më shumë, te disa prodhohet më pak. Vjen një moment që dylli i veshëve, kur grumbullohet në sasi të mëdha dhe duke rënë në kontakt me lagështirën bllokon kanalin e dëgjimit pasi bymehet. Kjo pastaj sjell probleme në dëgjim ose zhurma në vesh. Në këtë moment fillon e jep shqetësime për  pacientin, shqetësime të cilat bëjnë që pacienti të kërkojë ndihmë mjekësore.

A dëmtojnë veshët kunjat e pastrimit?

Shpesh, shumë persona që pastrojnë veshët me to, dëmtojnë lëkurën e kanalit të veshit, çrregullojnë pH-shin, e gjakosin atë, duke krijuar kështu kushte për infeksione. Nuk përjashtohen as rastet kur me to, nëse i shtyjmë deri në fund të kanalit, mund të dëmtojmë edhe daullën e veshit. Këto forma të pastruari pra janë rreptësisht të ndaluara.

Daulja e veshit mund të dëmtohet nga kunjat?

Sigurisht që mund të dëmtohet dhe ka shumë raste që nga pakujdesia që tregohen kur bëhet pastrimi i veshëve daullja të çahet. Daullja mund të dëmtohet edhe nga goditjet e kanalit të veshit apo në fytyrë. Rastet më të shpeshta janë nga ndonjë shpullë e fortë apo nga goditja e veshit me top.

Si duhet të pastrojmë veshët?

E vetmja mënyrë efikase dhe që nuk dëmton veshin është larja e kanalit të veshit me sapun gjatë dushit. Për një njeri normal kjo është e mjaftueshme, pasi veshi me anë të dyllit ka vetinë të vetëpastrohet. Për personat të cilët kanë mbiprodhim të dyllit apo punojnë në ambiente me pluhura këshillohen kontrolle periodike tek mjeku specialist për të pastruar veshët me mjete të specializuara.

Zhurmat e shumta çfarë problem sjellin me veshët?

Zhurmat e shumta dhe ekspozimi i veshit për një kohë të gjatë në zhurma, përveçse krijojnë stres, ato influencojnë gjithmonë mbi nervin e dëgjimit, për shembull; personat që punojnë në tekstile, punojnë me zhurma të mëdha. Për ata është e këshillueshme që të mbajnë kufje, të cilat shërbejnë si masë mbrojtëse, për të mos u dëmtuar nervi i dëgjimit. Por, si rregull është që në ambientet e punës të matet zhurma. Në ato vende ku ka akustikë të lartë, sigurisht duhet të merren masa mbrojtëse për këtë gjë, siç janë edhe kufjet.

Të ngjashme