Ligji i Pagave, edhe mantelbardhët paralajmërojnë greva e protesta

Prishtinë | 31 Mar 2022 | 18:42 | Nga Ekonomia Online

Qeveria e Kosovës pas 8 prillit të këtij viti mund të përballet me greva e protesta dhe krejt kjo si shkak i Ligjit të ri të Pagave.

Këtë ligj Qeveria ende nuk e ka sjell për miratim në Kuvend, ndonëse nga ta është premtuar se një gjë e tillë do të bëhej deri më 31 mars.

Kryesia Ekzekutive e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës në mbledhjen e fundit ka bërë të ditur se më 8 prill do të organizojnë protestë në Prishtinë.

Në lidhje me paralajmërimin e kësaj proteste ka reaguar edhe kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla.

Ai për Front Online ka thënë se kjo sindikatë është e zhgënjyer me Qeverinë ‘Kurti’.

“Federata e Sindikatës së Shëndetësisë është shumë e zhgënjyer me Qeverinë Kurti e cila nuk e ka sjellë këtë projektligj sot me datën 31 mars qysh ka premtuar, andaj pas datës 7 prill kur ne e kemi Kongresin e Federatës do të vendosim në lidhje me protestën”, u shpreh ai.

Syla ka paralajmëruar greva dhe protesta në rast se Qeveria nuk reflekton për Ligjin e Pagave.

“Priten vendime dhe reagime sindikale nëse nuk reflekton kjo Qeveri, por unë jam i bindur që do të ketë kërkesa edhe për greva edhe për protesta, ne e kemi kauzën e përbashkët me Sindikatat e tjera sepse ju e dini se në çfarë gjendje jemi”, potencoi Syla.

Javën e ardhshme edhe nga Sindikata e Arsimit kanë thënë se do të marrin vendim për protesta e greva të përgjithshme në arsim.

Të ngjashme