Ndonëse e kanë obligim ligjor, anëtarët e Komisionit për mbikëqyrjen e Agjencisë Kosovare për Inteligjencë asnjëherë nuk e kanë bërë mbikëqyrjen e këtij Ligji.
Këtë proces pritet ta nisin duke filluar nga kjo javë, shkruan sot “Koha ditore”. Njohës të çështjeve të sigurisë thonë se Ligji për klasifikimin e informacioneve dhe verifikimin e sigurisë është një prej ligjeve që më së shumti shkelet nga shumica e institucioneve.
Ndërkohë, kryetari i Komisionit parlamentar për mbikëqyrjen e AKI-së, Haxhi Shala, e ka pranuar se ky proces është shumë i vonuar. Por, ai ka shtuar se monitorimin e Ligjit nuk e kanë bërë as anëtarët e Komisionit në legjislaturën e kaluar.
Në mbledhjen e fundit të Komisionit ishte paralajmëruar se monitorimin e Ligjit do ta nisin fillimisht në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, për të vazhduar me Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë për Punë të Brendshme dhe atë për Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Por, në Agjencinë Kosovare për Inteligjencë nuk do të kenë qasje të gjithë anëtarët e Komisionit pasi nuk e kanë certifikatën e sigurisë. të cilën e merr çdo person që verifikohet nga AKI-ja. /Koha.net/