Lideri i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, ka thënë se partia e tij me të ardhur në pushtet, së bashku me PDK-në e AAK-në, do të ketë qëllim kryesor shëndetësinë, arsimin dhe bujqësinë.
“Shëndetësia, arsimi, bujqësia do të jenë parësore nga ministrat tanë në qeverinë e ardhshme të Kosovës”, ka thënë Limaj, në një takim më qytetarët e Prizrenit.
“Asnjë familje në Kosovë nuk do të jetë pa pasur një njeri të punësuar”, ka premtuar kreu i Nismës, e cila po garon në këto zgjedhje me sloganin “Ka ardhë koha për Nismën”.
Nga ana tjetër, ai tha se habitet kur dëgjon premtime të pamatura nga oponentët se do të punësohen qindra mijëra persona.
Limaj ka thënë se do ta ndalin degradimin e shtetit dhe pabarazinë. Ai është zotuar se ministrat dhe deputetët e Nismës do të jenë zëri i qytetarëve, i atyre që kanë nevojë
“Aktualisht janë mbi 25 mijë familje në bazë të statistikave nuk e kanë as një të punësuar dhe ata janë njerëz që marrin ndihma sociale”.
“Me Nismën, si parti social-demokrate, do t’i kthehet identiteti Kosovës”, theksoi Limaj.
Ndërsa duke folur për Prizrenin, Limaj tha se qyteti historik i Kosovës është lënë pas dore, sikurse dhe krejt vendi.
Më tutje, Limaj tha se ka ardhur koha për Nismën në Qeveri, e cila do të angazhohet shumë për nxjerrjen e vendit nga izolimi, në mënyrë që kosovarët të jenë të barabartë me shtetet e rajonit.
Sipas tij, Kosova do ta ketë shumë shpejt edhe ushtrinë.
Në tubim foli edhe kandidati për deputet nga Nisma, Zafir Berisha. Ish-kryetari i Prizrenit u zotua se do t’ia kthejnë identitetin Prizrenit, së bashku me dy kandidatet e tjera nga ky qytet – Albulena Balaj dhe Emanuela Koni.