Nisma për Kosovën ka hapur zyrtarisht fushatën elektorale edhe në Mitrovicë. Lideri i Nismës për Kosovën Fatmir Limaj ka thënë se Mitrovica vazhdon të jetë një ndër pjesët më problematike, por që do të zgjidhen menjëherë. Ai ka thënë se këtu kemi një gjendje që është e papranueshme.
“Një shtet dhe një qeveri e mençur ndërton paketë stimuluese dhe merr vendime të rëndësishme. Do të angazhohemi që këtij regjioni t’i qasemi ashtu si bëjnë drejtuesit e shtetit. Qeveria e Kosovës duhet ta shpallë këtë zonë me Interes të veçantë, nacional. Ne duam që pjesët tona kufitare të kthehen në pjesë të zhvillimit”, ka thënë ai.
Limaj ka thënë se kjo bëhet me një politikë të qartë.
“Kosova dhe kjo pjesë e saj forcohet vetëm përmes zhvillimit ekonomik dhe seriozitetit tonë. Njerëzve tanë nga Leposaviqi e këtu tu jepet mundësi për punësim, tu jepet mundësi fëmijëve për mësim”, ka thënë ai.
Ai ka lutur të pranishmit që mos të dërgojnë në Kuvend deputetë që e ndërrojnë mendimin duke shtuar se Kuvendit i duhen deputetë që nuk votojnë asgjë që i bëjnë të keqen Kosovës.
“Mos dërgoni njerëz qe edhe atje bëjnë shantazhe mund të kenë një vend tjetër por jo në parlament”, ka thënë ai.
Hysni Ahmeti kryetar i Degës së Nismës në Mitrovicë ka ftuar simpatizantët që të votojnë Nismën për Kosovën. Ai ka thënë se edhe sot duhet të na prijë dëshira për të quar amanetin e atyre që ranë për liri.
“Sot duhet të na prijë dëshira dhe vullneti për të punuar dhe për të vazhduar vullnetin e të gjithë atyre burrave dhe grave që sakrifikuan jetën për liri. Është koha që t’i përvishemi punës dhe të gjithë së bashku me përkrahjen e juaj dhe votën tuaj t’i realizojmë premtimet dhe të dalim faqebardhë para tyre”, ka thënë ai.
Milaim Zeka kandidat për deputet duke iu drejtuar simpatizantëve ka thënë se sot është dita e dëshmorëve të Kosovës dhe të Komunës së Mitrovicës. Familjarët më kanë ftuar në homazhe ndërsa Agim Bahtiri i ka injoruar nuk ka qenë fare.
“Ai i ka nënçmuar dëshmorët. Qytetarët e Mitrovicës e njohin kush ka qenë bandit e kush ka qenë pranë gjimnazit e i ka kërcënua vajzat me thika”, ka thënë Zeka.
Duke iu drejtuar Agim Bahtirit Zeka ka thënë se sot tallet me ata djem e vajza që kanë luftuar për të qenë ne sot në sallë.
“Le ta dijë Agim Bahtiri që mos me na i ndjek nënat tona, mos me na i përdhuna vajzat tona ata dëshmorë kanë luftuar”, ka pohuar ai.