Kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, njëherësh zv.kryeministër i vendit, ka thënë se hapja e vendeve të reja të punës mund të bëhet vetëm nëse stimulohen prodhuesit vendës.
“Në do ta bëjmë një gjë të tillë. Masat kanë filluar dhe besoj që gjatë vitit të ardhshëm ju do t’i shihni ato”, tha Limaj.
Ai i bëri komentet gjatë një tubimi elektoral në Krushë të Madhe të Rahovecit, një vend që njihet për kultivimin e kulturave bujqësore.
“Do të përkrahet prodhimi vendor dhe se ai nuk do të zëvendësohet nga produktet prej vendeve të tjera”.
“Të tjerët flasin, Nisma vepron. Ka shumë kohë që merrna me hallet e këtij rajoni. Dikur kam ngritur shqetësimet, tash jam ne pozicionin që jo të ngrisë shqetësimet, por edhe që t’i zgjidhë ato. Nuk ka më që domatja, speci, bostani… që prodhohen këtu të vijnë nga vendet e tjera, nga Maqedonia për shembull. Nuk ka që pa u shitur produktet tona të hyjnë produkte të tjera”, deklaroi Limaj.
Kreu i Nismës shprehu përkrahjen për kandidatin për kryetar të kësaj komune, Besnik Hoti. “I gjithë ekipi i Nismës është i nderuar që ka pjesë të tyre një person si Besniku”.
Vetë Hoti u zotua se do të zbatojë plan-programin e Nismës dhe në këtë mënyrë të punojë në të mirë të Krushës. Në fjalën e tij, ai u fokusua në zhvillimin e bujqësisë në këtë komunë.