Nisma për Kosovën, në ditën e katërt të fushatës zgjedhore, ka mbajtur tubim në Prizren. Lideri i kësaj partie, Fatmir Limaj, ka thënë se Nisma nuk ka dhënë premtime të parealizueshme, por ka ndier për obligim të punojë për vendin.
“Në projektin tonë janë investimet në bujqësi, fondi i vetëpunësimit dy projekte këto të mëdha. Me Nismën, në Kosovë do të ndërpritet pabarazia. Në Kosovë nuk do të ketë më familje që nuk do të ketë së paku një të punësuar”, ka thënë Limaj, raporton Ekonomia Online.
Kryetari i Degës së Nismës në Prizren, Zafir Berisha, ka thënë se kanë njerëz me përvojë politike.
“Vizioni i Nismës është vizion i qytetarëve dhe më lejoni që nga këtu të bëjë thirrje të mbështetni deputetët e Nismës të cilët do të vazhdojnë të qëndrojnë ti jenë besnik votuesit”, ka thënë ai.
Ai ka premtuar fuqishëm se projekti aktual për demaskim nuk do të kaloj me votën e deputetëve të Nismës.
“Asnjë politikan nuk do të bëjë pazar me shtetin tonë që është larë me gjakun e shumë dëshmorëve”, ka thënë ai.